Agjërimi i Muhamedit në Ramazan (Agjërimi të fut në Xhenet)


Agjërimi të fut në Xhenet:

Mësove, o ti njeri i bindur Allahut, Allahu të dhëntë sukses në bindjen ndaj Tij, se agjërimi e largon vepruesin e tij nga Zjarri, duke e afruar kështu për nga begatitë e Xhenetit.

Transmetohet nga Ebi Umame (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: Thashë: O i Dërguari i Allahut! Më drejto në një vepër që më fut në Xhennet. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Agjëro, sepse nuk ka si ai!”[8]

  1. Agjëruesve u jepet shpërblimi pa hesap. [*9]
  2. Agjëruesi ka dy gëzime.(*)
  3. Era që del nga goja e agjëruesit, është më e këndshme tek Allahu sesa parfumi (*).

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu thotë: Çdo vepër e birit të Ademit (njeriut) është për të, përveç Agjërimit [10], i cili është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të. Agjërimi është mburojë. Nëse dikush nga ju është agjërueshëm, të mos flasë pahijshëm dhe të mos e ngrejë zërin (a të ankohet). Nëse atë e ofendon dikush apo e lufton, ai të thotë: Unë jam agjërueshëm [11].

Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se era që del nga goja e agjëruesit, tek Allahu është më e këndshme sesa parfumi. Për agjëruesin ka dy gëzime: kur ai ha iftar, gëzohet dhe kur të takojë Zotin e tij, gëzohet me agjërimin e tij.” [12]

Ndërsa në një transmetim tjetër të Buhariut thuhet: “Ai (agjëruesi) e lë ngrënien, pirjen dhe dëshirat e tij vetëm për Mua. Agjërimi është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të. Një e mirë shpërblehet me dhjetëfishin e saj.”

Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Çdo punë e birit të Ademit shumëfishohet; puna e mirë i shumëfishohet prej dhjetë deri në shtatëqindfish. Allahu thotë: Përveç agjërimit, i cili është për Mua, dhe vetëm Unë shpërblej për të. Ai (robi) largohet nga epshet dhe ushqimi i tij vetëm për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime; një gëzim kur ai bën iftar, dhe një gëzim kur të takojë Zotin e tij. Ndërsa era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa aroma e miskut.”

 

_______________________

  1. Transmeton Nesai (4/165), Ibën Hibani (faqe 232) dhe Hakimi ( 1/321). Senedi i këtij hadithi është i saktë.
  2. Të gjitha pikat që kan në fund këtë yll, përfshihen në Hadithin që përmendet më poshtë.
  3. D.m.th. se çdo vepër ka shpërblim të kufizuar, përveç agjërmit, shpërblimi i tij është pa hesap, siç do të ceket më pas.
  4. Ta thotë këtë fjalë me zë të dëgjueshëm, me qëllim që ofenduesi apo sulmuesi të tërhiqet. Thuhet gjithashtu se kjo fjalë duhet thënë pa zë, me qëllim që të ndalohet nga kthimi i ofendimit me ofendim, apo e sulmit me sulm. Por fjala e parë është më e saktë dhe më e qartë, pasi që “thënia” e pakufizuar me ndonjë cilësi, nuk mund të jetë veçse me gjuhë, ndërsa thënia me vete, pa zë, është e kufizuar. Njësoj si fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Allahu ia ka falur popullit tim ato që thonë me vete (që i mendojnë por nuk i veprojnë), përderisa nuk i shprehin apo nuk i veprojnë ato.” [Ky Hadith është Mutefekun alejhi]. Kështu na bëhet e qartë se “thënia” e pakushtëzuar, nuk përdoret veçse për fjalën e shprehur me gjuhë dhe zë, e Allahu e di më mirë.
  5. Transmeton Buhariu (4/88) dhe Muslimi (1151). Teksti i përmendur është i Buhariut.

 

(Vazhdon)

 

Selim Hilali

(Visited 21 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT