Agjërimi i Muhamedit në Ramazan


Në Librin Famëlartë të Allahut të Madhëruar kanë zbritur ajete të qarta dhe të patundshme, të cilat nxisin për agjërim me qëllim që të afrohesh tek Allahu i Lartësuar, si dhe sqarojnë dobitë e agjërimit. Allahu i Lartësuar thotë:“Me të vërtetë që muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtit dhe të drejtat, durimtarët dhe durimtaret, të nënshtruarit dhe të nënshtruarat, sadakadhënësit dhe sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit dhe përkujtueset që e përkujtojnë shumë Allahun me zemër e me gojë, pikërisht për këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” [El Ahzab: 35].

“Pra, nëse agjëroni, kjo është akoma më mirë për ju, veç sikur ta dinit.” [el Bekaretu: 184]. Gjithashtu edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka qartësuar në hadithe të sakta se agjërimi është mburojë nga epshet dhe mburojë nga Zjarri i Xhehennemit, dhe se Allahu e ka veçuar atë me një derë nga dyert e Xhennetit. Agjërimi e pastron shpirtin nga epshet dhe e burgos atë nga dëshirat, duke e bërë atë shpirt të qetë e të sigurt. Këto dobi të mëdha dhe këtë shpërblim të madh, e trajtojnë dhe e sqarojnë hadithet e vërteta që do të paraqesim në vijim:

Agjërimi është mburojë

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka urdhëruar atë të cilin e pushton dëshira për martesë por nuk ka mundësi të martohet, që të agjërojë, duke e konsideruar agjërimin pengesë dhe parapritë të këtij epshi. Kjo sepse agjërimi i ndrydh dhe i bllokon fuqitë dhe energjinë e gjymtyrëve, duke i bërë ato të qetësohen dhe të dobësohen. Është provuar me prova të qarta se agjërimi ka ndikim të habitshëm në ruajtjen e gjymtyrëve dhe të energjisë së brendshme.

Për këtë shkak, i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “O ju të rinj! Kushdo prej jush që ka mundësi për martesë, le të martohet, sepse kjo është mënyra më e mirë për uljen e shikimit dhe mënyra më e mirë për mbajtjen e dëlirësisë. Ndërsa kush nuk ka mundësi të martohet, atëherë të agjërojë, sepse agjërimi është ndrydhës (i epshit).”Buhari dhe Muslimi

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na ka sqaruar gjithashtu se Xhenneti është i rrethuar me vështirësi e sprova, ndërsa Xhehennemi është rrethuar me epshe e dëshira.

Kështu që, nëse të bëhet e qartë, vëlla musliman, se agjërimi i thyen epshet dhe i ndrydh ato, ndërkohë që dihet se ato të çojnë drejt Zjarrit, atëherë ai është bërë pritë dhe pengesë ndërmjet agjëruesit dhe Zjarrit. Për këtë shkak kanë ardhur hadithe që flasin hapur se agjërimi është mburojë e njeriut me të cilën mbrohet nga Zjarri.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “S’ka njeri i cili agjëron një ditë për hir të Allahut, vetëm se Allahu, për shkak të saj do t’ia largojë fytyrën atij (njeriut) nga Zjarri shtatëdhjetë pranvera.” Buhari dhe Muslimi

Gjithashtu thotë: “Agjërimi është mburojë që e mbron robin/njeriun nga Zjarri.” Imam Ahmedi

Dhe thotë: “Kush agjëron një ditë për Hir të Allahut, Allahu do të bëjë mes tij dhe Zjarrit një hendek sa largësia mes qiellit dhe Tokës.” Tirmidhiu

Disa nga dijetarët kanë shkuar në mendimin se këto hadithe të sipërpërmendura kanë ardhur për të treguar dobinë e agjërimit në Xhihad dhe në luftën në Rrugën e Allahut, por nga kuptimi i drejtpërdrejtë i haditheve përfitohet se i gjithë agjërimi, që është i pastër vetëm për hir të Allahut dhe në përputhje me udhëzimet e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ai është në Rrugë të Allahut.

(Vazhdon)

Selim Hilali

(Visited 96 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT