Aishja, kjo grua fisnike e Profetit Muhamed


Aisheja është vajza e Ebu Bekrit r.a, mikut më të ngushtë të Pejgamberit sal’allahu alejhi ue selem. Është vajza e atij që shoqëroi Profetin alejhi selam gjatë migrimit për në Medine. Është vajza e atij që e ndihmoi dhe përkrahu Profetin alejhi selam me gjithçka. Aisheja lindi në vitin e pestë të profetësisë, d.m.th kur Profeti a.s ishte 45 vjeç. 

Historia e Aishes, përfaqëson historinë e një vajze të re, të devotshme, të moralshme dhe që e donte jetën. Duke iu qasur jetës së Aishes, ne do të shohim që nuk ka asnjë kontradiktë mes dëshirave rinore për të shëtitur dhe dëfryer me hallall dhe mes lidhjeve me Zotin dhe devotshmërinë. Njihte shumë mirë tefsirin e Kuranit, fikhun, poezitë arabe etj…

Sot, shumë perëndimorë dhe në veçanti orientalistët e akuzojnë Profetin alejhi selam se është martuar me një fëmijë. Mirëpo do të rendisim arsyet e mëposhtme mbi këtë martesë.

1. Në vendet e nxehta, është e ditur që vajzat mbushin moshën e pubertetit që në moshë të re, si dhe plaken më herët. Ndërkohë që në vendet e ftohta, si ato skandinavet, vajzat mbushin moshën e pubertetit pas shtatëmbëdhjetë vite nga lindja. Kështu, Aisheja në moshën që u martua me Profetin alejhi selam, konsiderohej grua.

2. Duke u martuar me shumë gra mosha e të cilave ishte e ndryshme nga njëra-tjetra, ne mësojmë mënyrën si sillej Profeti alejhi selam me secilën grua e cila përfaqësonte një brez të caktuar.

3. Ambienti dhe kultura ishte e tillë që e lejonte martesën me vajza të reja në moshë. Prandaj, është gabim të gjykosh për këtë martesë para njëmijë e katërqind vitesh nga këndvështrimi modern.

Dashuria e Pejgamberit sal’allahu alejhi ue selem, ndaj Aishes

Amr ibnul As-in, e kishte dërguar Profeti alejhi selam si komandant në një betejë (Dhatu Selasil). Ai bashkë me ushtrinë u kthyen triumfues. Kur u takua me Profetin alejhi selam, ky i fundit e priti si hero dhe e nderoi. Duke parë këtë pritje, Amr ibnul As, mendoi se nëse do e pyesë Profetin alejhi selam cili ishte njeriu që donte më shumë, do të përgjigjej: “Ty o Amr.” Pasi ishin grumbulluar dhe disa myslimanë të tjerë, Amr ibnul Asi, shfrytëzoi rastin ta pyesë, me qëllim që ta dëgjojnë dhe të tjerët. Kështu, iu drejtua me fjalët: “O i dërguar i Allahut! Cili është njeriu më i dashur për ty?” Profeti alejhi selam iu përgjigj: “Aisheja.”

A keni dëgjuar ndonjë njeri të famshëm, që të shkruajë në ndonjë libër, ose të deklarojë në një gazetë se njeriu që do më shumë është gruaja e tij? Edhe nëse ka njerëz të cilët e duan gruan më shumë se gjithçka tjetër, u vjen vështirë që ta deklarojnë. Kurse Profetit alejhi selam nuk i erdhi vështirë nga kjo. Duke qenë se Profeti alejhi selam e deklaronte kudo që ishte i dashuruar pas Aishes, të gjithë e dinin këtë.

Një herë, Aisheja e pyeti Profetin alejhi selam: “Si e përshkruan dashurinë tënde për mua o i dërguar i Zotit?” Profeti alejhi selam ia ktheu: “Si nyjën e litarit.” Tregon Aisheja: “Pas pak e pyeta sërish: “Si është nyja o i dërguar i Zotit?”Ai më tha: “Siç ka qenë.” A keni parë bashkëshortë qe e duan njëri-tjetrin në këtë masë? A kanë përfituar skenaristët myslimanë nga jetëshkrimi i Profetit alejhi selam?
Xhibrili shkonte dhe i shpallte Kuranin shpesh herë në dhomën e Aishes, kjo dhomë filloi të njihej me emrin “dhoma e shpalljes hyjnore”.

Gjatë ciklit mujor, zakonisht gratë ndjejnë lodhje dhe depresion. Kur Aisheja ishte me të përmuajshmet, Profeti alejhi selam përpiqej me çdo kusht që t’a qetësojë dhe t’i bëjë qejfin. Kështu, kur e shihte duke pirë ujë nga gota, Profeti a.s e merrte gotën dhe e pinte ujin e mbetur nga i njëjti vend ku kishte pirë Aisheja. Një dashuri e tillë lindi dhe nuk vdiq gjatë gjithë jetës së tyre bashkëshortore.  Kjo, pasi ishte një dashuri e bazuar në kritere dhe objektiva sa të përbashkëta aq edhe madhore. Aisheja njihet për adhurimin e saj të shumtë. Ajo njihet për agjërimin dhe namazet vullnetare.

Edhe momentet e fundit, Pejgamberi alejhi selam i zgjodhi që ti kalojë pranë Aishes. Ai vdiq në dhomën e saj. Për 47 vite jetë pas vdekjes të Pejgamberit alejhi selam, Aisheja ka transmetuar nga Profeti alejhi selam gjithësej 2250 hadithe. Që nga vdekja e Profetit alejhi selam, Aisheja hapi shkollën e parë ku mësohej fik’hu islam. Pra, shkolla e parë në islam, është hapur nga një grua. Ajo u mësonte nxënësve të saj hadithet e Profetit alejhi selam, çështje të fik’hut dhe interpretimit të Kuranit. Veç sa përmendëm, Aisheja njihet dhe për oratori dhe gojëtari. Thotë Muavije ibnu Ebi Sufjan: “Oratori më i madh ndër arabët, është Aisheja.”

Aisheja jo vetëm që ishte zemërgjerë dhe bujare, por këtë e bënte në një mënyrë shumë të veçantë. Sa herë që i vinte ndonjë i varfër për t’i kërkuar diçka, ajo e merrte monedhën që do i jepte, e fuste në një enë ku mbante parfum dhe pastaj ia jepte të varfrit. Pra, e parfumonte para se ta japë. Kur dikush e pyeti përse e bënte këtë, ajo i tha: “Sepse sadakaja bie në duart e Zotit para se të bjerë në duart e fukarait.”

Në çastet e vdekjes, Aisheja nuk deshironte askënd që ta shohë, megjithatë në dhomë hyri Ibnu Abasi i cili i tha: “Gëzohu, oj nëna jonë, gëzohu pasi mes teje dhe të dashurit tënd Muhamedit alejhi selam, nuk ka mbetur gjë tjëtër përveç dorëzimit të shpirtit. Ti ke qenë gruaja më e dashur e Profetit alejhi selam. Pafajësinë tënde e shpalli vetë Zoti nga qielli…” E ajo ia ktheu: Nëse duhet të krenohem me diçka, unë krenohem se i dërguar i Allahut vdiq mes prehrit dhe kraharorit tim. Kjo ishte nëna jonë Aisheja e dashura e të dashurit te Allahut…

A e ndjen ti oj motër se Aisheja është nëna jote? A e përjeton ajetin ku Zoti i madhëruar thotë: “I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri tjetrin; gratë e tij janë nënat e tyre.” (Ahzab, 6)

(Visited 273 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT