Argumente logjike mbi profetësinë e Muhamedit


Profetësia është një çështje e madhe dhe një pozitë tejet e lartë, atë e pretendon një njeri besnik dhe i virtytshëm, ose një gënjeshtar e mashtrues. Megjithatë, Zoti ka vendosur që çështja e profetësisë, të mos u përzihet njerëzve, përkundrazi ata kanë aftësinë që me anë të logjikës, të bëjnë dallimin mes profetit dhe sharlatani.

Argumenti i parë: Gjengja se si e organizoi jetën profeti Muhamed paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.

Shokët e profetit Muhamed, nuk ishin të metë dhe as të marrë, që të besonin profetësinë e Muhamedit pa vënë re më parë, gjendjen dhe mënyrën se si ai e jetonte jetën, sepse një gjë e tillë e nxjerr zbuluar njeriun, se ai është profet, apo është thjesht një mashtrues i cili kërkon vëmendje dhe famë!

Nëse Muhamedi do të ishte gënjeshtar, shumë shpejt një gjë e tillë do të binte në sy, tek ai do të shfaqej injoranca, gënjeshtra dhe mashtrimi. Porse ajo që u shfaq ke profeti Muhamed Muhamed ishte e kundërta. Gjatë jetës së tij profeti shfaqi: dijen, besnikërinë, bujarinë dhe dhimbsurinë. Ai ishte i qartë në fjalë dhe vepra, mbi të gjitha ishte shembulli më i lartë në adhurimin dhe nënshtrimin e Allahut, Një të vetëm pa shokë.

Në fakt të pretendosh profetësinë, nuk është dhe aq e thjeshtë, sepse nuk do shumë kohë që të shpaloset e vërteta, pra se je i tillë, apo thjesht një mashtrues, ndaj dhe ata që e njohën Muhamedin, u bëhej e qartë se ai ishte i dërguar i Zotit. Që në momentet e para të profetësisë e deri në vdekje, besnikëria ka qënë stolia e tij. Veprat që kryente, kurrë nuk kanë rënë ndesh me atë që u thoshte dhe u mësonte njerëzve.

Argumenti i dytë:  Ballafaqimi me atë që ftoi dhe përcolli Muhamedi paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.

Ai i cili pohon se është i dërguar nga Zoti, patjetër që do të ketë një sërë urdhëresash dhe ndalesash, po ashtu ai do të kryejë edhe disa vepra, të cilat të gjitha së bashku, do tu bëjnë të qartë njerëzve, se ai është i dërguar nga Zoti, dhe se thënie dhe veprat e tij, janë feja që Allahu ka përcaktuar për njerëzit.

Nëse Muhamedi, do të kishte qënë thjesht një gënjeshtarë, patjetër që do të shfaqej, në ato çka thoshte apo vepronte. Porse ai që e njeh figurën dhe jetëshkrimin e Muhamedit, ai i cili e njeh legjislacionin dhe atë se për çfar ai ftoi, e kupton fort qartë se ai është profet dhe përcjellës i mesazhit hyjnorë në tokë.

Argumenti i tretë: Dallimi mes të sinqertit dhe mashtruesit.

Dallimi mes të sinqertit dhe gënjeshtarit arrihet nëpërmjet rrugëve të ndryshme dhe të shumta, nëse dy persona do të pretendonin diçka, për të cilën njëri është i sinqertë dhe tjetri gënjeshtar, patjetër që me kalimin e kohës do të bëhet e qartë dallimi mes të dyve.

Nëse një person mashtrues do pretendojë se është mjek, padyshim që ai do të zbulohet që në provën e parë, e çfarë mund të thuash atëhere për atë që pretendon profetësinë?!

Njerëzit me kalimin e kohës, u shtohej bindja edhe më se Muhamedi ishte i dërguar i Zotit, madje në plot raste, kush dëgjonte fjalët e tij edhe pse për herë të parë, do të pohonte: Pasha Zotin, këto nuk janë fjalët e një gënjeshtari.

Për ta ilustruar atë që thamë më lartë, po përmendim dialogun mes perandorit Romak, Kajserin dhe Ebu Sufjanit, pas një letre që i kish ardhur petandorit nga Muhamedi paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.

I Dërguari i Allahut shkroi një letër dhe ja dërgoi Kajserit me të cilin e thërriste në islam. Këtë letër e dërgoi përmes shokut të tij Dihjetul Kelbij të cilin e urdhëroi që këtë letër t’ia dërgojë të madhit të Busras që ta dërgojë këtë letër deri te Kajsari

Kur Kajseri kishte ngadhënjyer ndaj ushtrisë persiane shkoi prej Himsit në Ilija për ta falënderuar Zotin për atë dhunti që i dhuroi. Kur Kajserit i erdhi letra e të Dërguarit të Allahut dhe pasi që e lexoi tha: më gjeni një njeri prej popullit të tij që të pyesim për këtë Pejgamber të Allahut.

Ibën Abasi rrëfen: Ebu Sufjani më tregoi se ai në atë kohë ishte në Sham (Siri) me disa njerëz të tjerë prej Kurejshëve, të cilët kishin ardhur të bënin tregti në kohën e armëpushimit që ishte mes Pejgamberit dhe Kurejshëve pabesimtarë.

Ebu Sufjani tregon: U nisëm unë dhe disa shokë të mi dhe na futën tek mbreti. Ai ishte ulur mbi fronin e tij. Mbi kokë kishte kurorën dhe afër tij ishin ulur paria romake.

Herakliu thirri përkthyesin e tij dhe tha: Cili prej jush është më afër familjarisht me këtë person i cili pretendon se është Pejgamber?

Ebu Sufjani: Unë jam më afër me të familjarisht.

Herakliu: cila është afërsia mes teje dhe atij?

Ebu Sufjani: ai është djali i xhaxhait tim.

Herakliu: afrojeni këtë dhe shokët e tij afër meje. Pastaj i tha përkthyesit të tij: thuaju atyre se unë do ta pyes këtë njeri për atë pejgamber. Nëse ky gënjen atëherë tregoni për gënjeshtrën e tij.

Ebu Sufjani: për Zotin sikur mos të ishte turpi se shokët e mi do të më përgënjeshtrojnë atë ditë nuk do të ia kisha thënë të vërtetën Herakliut. Por, u turpërova dhe e thashë të vërtetën.

Herakliu: A ka një prejardhje të mirë të farefisit?

Ebu Sufjani: po.

Herakliu: A ka dikush prej farefisit tuaj që e ka pretenduar më herët atë që pretendon ky njeri?

Ebu Sufjani: jo.

Herakliu: a ka pasur dikë prej të parëve të tij që kanë pasur mbretëri?.

Ebu Sufjani: jo.

Herakliu: atë e pasojnë paria, apo të dobëtit?

Ebu Sufjani: e pasojnë të dobëtit.

Herakliu: a shtohen pasuesit e tij, apo pakësohen?

Ebu Sufjani: shtohen.

Herakliu: a ka dikush prej tyre që e lë atë fe nga urrejtja pasi që ka hyrë në të?

Ebu Sufjani: jo.

Herakliu: para se të vinte me këto fjalë, a e keni akuzuar ndonjë herë me gënjeshtër?

Ebu Sufjani: jo.

Herakliu: a mashtron?

Ebu Sufjani: jo, ne jemi në një armëpushim me të, dhe nuk e dimë se çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Ebu Sufjani vazhdon: Herakliu nuk më dha hapësirë që të flas edhe diçka tjetër në lidhje me këtë.

Herakliu: a e keni luftuar?

Ebu Sufjani: po.

Herakliu: si është lufta e juaj ndaj tij?

Ebu Sufjani: lufta mes nesh ende vazhdon, i sjellim dëme atij edhe ai na sjell dëme neve.

Herakliu: në çfar ju fton?

Ebu Sufjani: na thotë që të adhurojmë vetëm Allahun dhe mos ti bëjmë Atij asnjë shok, ti lëmë ato që thonë baballarët tanë. Na urdhëron me namaz, zekat, sinqeritet, me ruajtje të nderit          .

Herakliu iu drejtua përkthyesit dhe i tha: thuaj (Ebu Sufjanit): të kam pyetur për prejardhjen e tij dhe më the se ka një prejardhje të mirë dhe ka respekt në fisin tuaj? Kështu janë edhe Pejgamberët, ata dërgohen tek ajo familje që ka respekt në farefisin e tyre.

Të pyeta se a ka dikënd nga familja e tij që ka thënë me herët këto fjalë? Më the se jo. Sikur të kishte thënë dikush prej farefisit para tij këto fjalë, do të kisha thënë se pason dikë prej të parëve të tij.

Të pyeta se a ka pasur dikush prej të parëve të tij ndonjë sundim. Më the se jo. Sikur të ishte e vërtetë, do të kisha thënë se ai qenka një njeri që kërkon sundimin e të parëve të tij.

Të pyeta se a e keni akuzuar më gënjeshtër ndonjë herë para se t’i thoshte këto fjalë? Më the se jo. Atëherë e kuptova se ky njeri nuk mund të gënjejë për Allahun, ndërkohë që nuk gënjen njerëzit!

Të pyeta se ata që e pasojnë a janë prej parisë së popullit tuaj apo prej të dobëtëve? Më the se të dobëtit e pasojnë, e kështu janë pasuesit e pejgamberëve.

Të pyeta se a shtohen apo pakësohen?

Ti më the se ata për çdo ditë shtohen më shumë. Kështu është edhe çështja e imanit gjersa të plotësohet.

Të pyeta se a ndodhë që dikush prej tyre ta lërë këtë fe për shkak të urrejtjes pasi që ka hyrë në të?

Më the se jo. Kështu është edhe imani kur atë e shijojnë zemrat.

Të pyeta se a mashtron? Më the se nuk mashtron. Kështu janë pejgamberët.

Të pyeta se a e keni luftuar dhe a ju ka luftuar ai?

Më the se konflikti mes nesh vazhdon, e dëmtoni atë dhe ai ju dëmton juve. Kështu janë pejgamberët sprovohen pastaj fundi është në anën e tyre.

Të pyeta se me çfar ju urdhëron? Më the se ai ju urdhëron që ta adhuroni Allahun dhe mos ti shoqëroni Atij shok dhe ju ndalon që ti adhuroni idhujt. Më the se ju urdhëron me namaz me sinqeritet, dhe me ndershmëri. Nëse kjo që ti e thua është e vërtetë sundimi i tij do të arrij te këmbët e mija. E kam ditur se ai (pejgamberi) do të vijë. Por, nuk e kamë ditur që do të vij prej jush. Sikur ta di që arrij tek ai do të kisha bërë çdo gjë që është e mundur për të arritur, dhe sikur të isha tek ai do t’ia kisha larë këmbët. Pastaj kërkoi shkresën të cilën e kishte dërguar i Dërguari i Allahut dhe filloi ta lexojë:
Në emër të Allahut Mëshiruesit Mëshirëbërësit. Prej Muhamedit rob dhe i dërguar i Allahut te Herakliu, i madhi i romakëve. Paqa qoftë mbi atë që pason udhëzimin.

Unë të thërras në thirrjen islame. Prano islamin që të shpëtosh, Allahu do t’i japë dy shpërblime. Ndërsa nëse ti ia kthen shpinën dije se do të bartësh mëkatin e tërë erisijinve: ..”O ithtarë të librit (Teurat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë kënd pos Allahut, të mos i bëjmë Atij shok askënd, të mos konsiderojmë njëri-tjetrin zotër pos Allahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)!” Ali Imran: 64.

 

Bledar Haxhiu

(Visited 300 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT