Dëshmia “Muhamedi është i dërguari i Allahut”


Kuptimi i kësaj dëshmie

Kjo dëshmi është shtylla e dytë e Islamit, kuptimi i saj është dituria, besueshmëria dhe bindja kategorike, se Muhamedi (a.s) është i dërguar i Allahut, deklarimi dhe nxjerrja në pah e kësaj, qartësimi i saj me fjalë dhe punë, me fjalë përmes thënies së kësaj dëshmie, ndërsa me punë përmes sjelljeve dhe të gjitha reagimeve tona njerëzore, teorike dhe praktike, në përputhje me atë që iu zbrit Muhamedit (a.s) nga Zoti i tij, pra në përputhje me mësimet dhe traditën e tij në aspektin e pasimit dhe pranimit, duke marrë në konsideratë, se ai është i Dërguar i Allahut.

Profetët e Allahut janë të shumtë

Janë të shumtë profetët e Allahut, që Ai i dërgoi tek mbarë njerëzimi. Allahu na i ka treguar historitë e disave prej tyre, ku na kanë ardhur emrat e tyre dhe informacioni për ta, ndërsa historitë e disa të tjerëve nuk na i ka treguar, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Fakt është, se kemi dërguar në çdo komb të dërguar që (u thanë atyre) adhurojeni Allahun dhe shmangiuni idhujve (adhurimeve të padrejta), pra çdo kombi apo populli të tokës i erdhi profet, edhe pse ndoshta ne nuk e njohim atë profet, duke qenë se Allahu i Lartësuar nuk na ka lajmëruar mbi emrin dhe mesazhin e atij profeti. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe (dërguam) të dërguar më parë që të rrëfyem për ta dhe të dërguar të tjerë, për të cilët nuk të rrëfyem e Musait i foli Allahu me fjalë”[1].

Arsyetimi i dërgimit të profetëve

Ideja që qëndron pas dërgimit të profetëve, e cila mund të arsyetojë arsyen e dërgimit të tyre tek njerëzimi, qëndron mbi bazamentin e unifikimit të Allahut të Lartësuar në çështjen e zotësisë dhe hyjnizimit (Rububije-s dhe Uluhije-s), se Ai është Zoti i botëve dhe Hyjnia e tyre, nuk ka zot për ta veç Tij. Prej angazhimit të zotësisë dhe hyjnizimit të Tij është fakti, se i Lartësuari është Ai, në Dorën e të Cilit është mbarëvajtja e çështjeve të krijesave të Tij, garantimi i interesave të tyre. Në dorën e Tij është ajo që ju bën dobi dhe dëm atyre. Ai jep udhëzimet dhe drejton njerëzinë në çështjen e urdhërimit dhe ndalimit. Nuk ka dyshim se njeriu nuk është i nevojshëm vetëm për ushqim dhe për gjërat e tjera të ngjashme me të, që janë të domosdoshmve për jetën e tij fiziologjike, por ai është domosdoshmërisht i nevojshëm edhe për përmbushjen e nevojave të tij shpirtërore, të cilat e dallojnë dhe specifikojnë njeriun në dallim me të tjerët. Gjithashtu njeriu është i nevojshëm për çdo gjë, që i mundëson atij të arrijë tek kompletimi i tij njerëzor që i takon. Bazuar në këtë, në mënyrë kategorike, i bie që interesi më i rëndësishëm i njeriut është që të ndjehet i lumtur dhe i kompletuar. Kjo arrihet nëpërmjet prezantimit të tij me Krijuesin dhe të Adhuruarin e tij. Njeriu nga ana e tij nuk mund t’i dijë këto gjëra (lumturinë dhe kompletimin) në një mënyrë të saktë e të paprekur nga gabimi, për arsye se ato qëndrojnë mbi aftësitë e mendjes së tij. Këtu del në pah urtësia e Zotit dhe mëshira e Tij për njeriun. Allahu i dërgoi njerëzimit profet nga lloji i tyre, që t`u flasin atyre me gjuhën e tyre, t`u përçojnë atyre mesazhet e Zotit të tyre dhe t’ua bëjnë të njohura ato, t`u sqarojnë atyre rrugët e arritjes tek Zoti dhe t’i njohin ata me çfarë i lumturon në dynjanë dhe Amshimin e tyre. Ndaj dhe prej angazhimeve të besimit të Allahut si Zot dhe Hyjni, ishte besimi dhe bindja kundrejt profetëve të Allahut, ndërsa mohimi i profetëve të dërguar prej Allahut përbën në vetvete injorancë kundër Tij, mangësi lidhur me Të dhe mosvlerësimin e Tij siç i takon. Nisur nga kjo, i bie që një gjë e tillë të jetë mohim (kufër), Allahu i Lartësuar thotë: “Ata (mohuesit) nuk e njohën (vlerësuan) Allahun siç i takon kur thanë: ‘Allahu nuk i shpalli gjë asnjeriu!…”[2].

Përmbyllja e shpalljeve

Allahu e përmbylli mesazhin e Tij me shpalljen islame, që ia shpalli profetit të Tij, Muhamedit (a.s) që e bëri vulën e profetëve dhe të dërguarve, Allahu i Lartësuar thotë: “Muhamedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë profetëve…”[3]; dhe shpallja vuloset me shpalljen e përjetshme islame, nisur nga kompletimi i saj dhe garantimi që ajo u bën nevojave të njerëzimit deri në Kijamet, prandaj nuk ka nevojë për një shpallje tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…”[4].

Argumentet e profetësisë së Muhamedit [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të]

Kemi thënë se: Dërgimi i profetëve është nga gjërat, që angazhojnë Zotësinë dhe Hyjninë (Rububije-n dhe Uluhije-n) e Allahut. Çdo profet ka ardhur me argumente të qarta nga Allahu, që vërtetonin profecinë e tij, ndërsa në rastin e profecisë së Muhamedit (a.s) argumentet kanë qenë më të shumta në numër dhe më të spikatura, çka vërteton pa asnjë fije dyshimi, se Muhamedi (a.s) ka qenë i dërguari i Allahut, i cili erdhi për mbarë njerëzimin. Prandaj kush beson në profetësinë e Musait (a.s), Isait (a.s), ose të çdo profeti tjetër dhe mohon abuzivisht profetësinë e Muhamedit (a.s), ky person është paradoksal dhe kundërshtues i realitetit dhe besimi ose mohimi i tij është vetëm produkt i injorancës, fanatizmit dhe imitimit të paargumentuar dhe të pafaktuar, pasi ajo çfarë e ka ftuar atë të besojë në profetësinë e një profeti është prezente, kurse në rastin e besimit tek profetësia e Muhamedit (a.s) është akoma më e dukshme. Ai person që mohon këtë, është si puna e dikujt, i cili thotë se filan student në vitin e parë në Univesitetin e Mjekësisë, është i ditur në lëmin e mjekësisë, por nga ana tjetër refuzon të pranojë njohjet e profesorit të këtij studenti, i cili është i sprovuar në lëmin e mjekësisë ku ka dhënë mësim dhe ka ushtruar studentë për dhjetëra vite, prej të cilëve edhe studentin në fjalë. Refuzimi që i bën ky person njohurive të këtij profesori mbi mjekësinë, ndërkohë që i vlerëson njohuritë e studentit të po këtij profesori, është një paradoks i pastër që buron vetëm nga injoranca, fanatizmi dhe imtimi.

Krahas këtij kumtimi të përgjithshëm, është e dobishme të japim disa argumente mbi verifikimin e profetësisë së Muhamedit (a.s). Prej këtyre argumenteve është biografia e tij (a.s) prej foshnjërisë së tij deri në vdekje. Kjo biografi e tij e shkëlqyer dhe e ndritur nuk mund të ketë për pesonazh një gënjeshtar, që të pretendojë se Allahu i ka zbritur gjëra të pavërteta. Ky argument mjafton për njerëzit, që posedojnë arsye të shëndoshë dhe natyrë të drejtë. Atë e mori për argument e nderuara jonë Hadixhja, kur Profeti (a.s) e lajmëroi atë për atë që i ngjau me Xhibrilin në fillimin e shpalljes. Me këtë rast ajo i tha: Përgëzime, Allahu kurrsesi nuk do të të poshtërojë ty, pasi ti bart brengat e të tjerëve, ndihmon të vobektët, mban farefisin e të tjera, duke nxjerrë në pah cilësitë e larta dhe biografinë e shkëlqyer të  profetit (a.s).

Gjithashtu prej argumenteve të profetësisë së tij është ky Sheriat-Ligj Hyjnor, që është madhështor në mbarë aspektet e tij. Është e pamundur, që ky ligj të dalë nga një burrë analfabet, që jetoi në atë shoqëri arabe që dihet se si ishte. Nëse ky Sheriat s’do qe shpallje hyjnore, askush nuk do mund të vinte me të, sado gjeni dhe me horizont të skajshëm ideor të ishte. Këtë argument e perceptojnë dhe vlerësojnë shkencëtarët në lëmin e ligjit, sociologjisë dhe shkencave të tjera.

Ndërkohë, argumenti më i madh mbi profetësinë e Muhamedit (a.s) që është ende evident, është Kurani Madhështor dhe mrekullia e tij kategorike, argument të cilin medoemos na duhet ta trajtojmë më vete.

Argumenti i Mrekullisë

Tek ata të cilët kanë njohje mbi historinë islame, dihet qartë dhe dukshëm, se banorët e Mekes dhe sidomos fisi Kurejsh i saj, iu kundërvunë thirrjes islame në fillesat e saj. Në fillimet e Islamit ky fis nuk e njohu profetësinë e Muhamedit (a.s) dhe dihet se ata mohuan që ai të ishte profet i Allahut dhe që Kurani të ishte libri i Allahut. Prej tërësisë së gjërave që ndodhën midis profetit të Allahut, Muhamedit (a.s) dhe kurejshëve e të gjithë atyre që ia kishin frikën atij dhe që e morën inat atë dhe e mohuan, ishte fakti se ai i sfidoi ata përmes Kuranit, duke u thënë ashtu sikurse shpalli Allahu lidhur me këtë: “Thuaj: ‘Edhe sikur njerëzit dhe xhindët të tuboheshin në përpjekje për të sjellë një Kuran të këtillë, ata nuk do të mund të bënin si ky (Kuran), sado ta ndihmonin njëri-tjetrin”[5]; sfidë kundrejt së cilës heshtën kundërshtarët rivalë të tij dhe nuk qenë të paaftë t’a thyenin dhe t’i kundërpërgjigjeshin. Më tej Profeti i Allahut i sfidoi ata, duke u thënë sikurse i shpalli atij Allahu: “Apo, pse ata thonë: ‘Ai (Muhamedi) e trilloi atë (Kuranin).’ Thuaj: ‘Formuloni pra dhjetë kapituj si ai (Kurani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni, kë të mundeni për ndihmë veç Allahut, po qe se jeni të drejtë (në çka thoni)!”[6]. Sërish heshtën dhe mbetën. Më pas Profeti i Allahut i sfidoi, duke u thënë sikurse i shpalli atij Allahu: “Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kur’an është i trilluar prej dikujt pos Allahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve. Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: ‘Sillni pra një kapitull të ngjashëm me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë pos Allahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni”[7], dhe thotë: “E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë silleni ju një kapitull të ngjashëm si ai (Kurani) dhe thirrini (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat-idhujt që adhuroni) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kurani nuk është prej Zotit). E mos e paçit bërë (deri më tani), e as që do ta bëni kurrë këtë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është përgatitur për jobesimtarët”[8]. Konkluzion i këtij sfidimi të përsëritur nga ana e Profetit të Allahut kundër kurejshëve dhe të gjithë rivalëve ishte, se ata u treguan të paaftë në përpjekjet e tyre për ta thyer këtë sfidë. Ata mbetën të heshtur si muri dhe iu kundërvunë me rrugë të tjera, të ngritura mbi gënjeshtra, shpifje dhe mbi vendosjen e barrierave ndaj ftesës në rrugën e Allahut. Ndër to përmendim: përdorimin e forcës, terrorizimin dhe shmangien e njerëzve nga Kurani, me qëllim që të mos ndikoheshin prej tij. Mbi përdorimin e kësaj rruge nga ana e tyre, Allahu i Lartësura thotë: “Ata që nuk besuan thanë: ‘Mos e dëgjoni këtë Kuran dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni) ashtu që ta pengoni (dëgjimin e tij)!”[9].

Sfidimi që Kurani i bën rivalëve

Sfida, kur triumfon për shkak të paaftësisë së atyre të cilëve u drejtohet që t’i përgjigjen, shpreh argument të qartë mbi sinqeritetin dhe vërtetësinë e sfiduesit dhe të asaj që ai pretendon, ndërsa në krahun tjetër ajo tregon mbi kotësinë dhe pavërtetësinë e akuzës së atyre, të cilëve u është drejtuar kjo sfidë. Por ky argument përmbushet vetëm nëse sfida tubon kushtet e duhura, që i dalin për detyrë dhe që bëjnë të arrihet tek ky argument apo rezultat. A ishin të pranishme kushtet e sfidës ndaj kurejshëve tek Kurani, që erdhi nëpërmjet gjuhës së Profetit të Allahut? Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetje, pyesim se cilat janë kushtet e sfidës? Këto kushte janë:

Së pari: Që aftësia për t`u përballur me sfidën të jetë e pranishme tek çdokush, të cilit i drejtohet sfida. Madje ai të cilit i drejtohet ajo, duhet të jetë i përfshirë në specifikën e saj dhe të jetë pjesë e asaj, për të cilën sfiduesi është ekspert, ka superioritet dhe është i shquar në të. Për shembull, si në rastin kur një mundës sfidon mundësat e tjerë, kur ai është i vetmi kampion i mundjes dhe kushdo që dyshon në këtë, mund të shkojë të mundet me të; në këtë rast objekti i sfidës është “mundja” dhe mundja përfshihet në eksperiencën e atyre, të cilëve u drejtohet kjo sfidë, pra tek mundësit.

Së dyti: Kushti i dytë është, që personat të cilëve u drejtohet sfida, ta dëshirojnë me vullnetin e tyre këtë sfidë, të jenë të angazhuar në maksimum për t’iu kundërpërgjigjur sfidës së sfidantit dhe ta thyejnë sfidën e tij. Prania vetëm e kushtit të parë nuk mjafton që të kryhet një sfidë e drejtë dhe e realizueshme. Në rastin kur personat, të cilëve u drejtohet kjo sfidë, nuk shfaqin interes për të marrë pjesë në të dhe nuk janë të angazhuar që ta rrëzojnë sfidimin e pretendentit, prandaj dhe heshtin dhe nuk reagojnë, heshtja e tyre nuk tregon se ata janë të paaftë dhe as tregon mbi vërtetësinë e pretendimit të sfidantit. E njëjta gjë thuhet edhe nëse gjendet dikush prej mundësve, që është i aftë ta thyejë sfidën e mundësit sfidant, por ai nuk ka dëshirë të hyjë në këtë sfidë, duke qenë se ai është djali i sfidantit, ose vëlla i tij, ose shoku i tij, ose sepse sfidanti konsiderohet i pavlerë në këndvështrimin e atyre, të cilëve u bëhet kjo sfidë dhe se ai nuk e meriton as t’i përgjigjesh mbi këtë sfidë.

Së treti: Kushti i tretë për konsideratën e sfidës është, që tek personat të cilëve u bëhet sfida, të mos gjendet diçka, që i pengon ata për t’iu përgjigjur asaj. Kam për synim privimin, siç është frika prej sfiduesit, frika ndaj terrorit të tij ose aftësisë së tij për t’u bërë keq atyre që sfidon. Pra që të realizohet sfida e saktë, nuk mjafton të përmbushen dy kushtet paraprake, por duhet të sigurohet edhe ky kusht i tretë.

Për shembull, ne rastin kur kemi një person kandidat për zgjedhjet presidenciale i cili ka në dorë pushtetin dhe nisur nga ky fakt mendon se ai është i vetmi, që meriton besueshmërinë e popullit për presidencën e vendit dhe se populli nuk do të zgjedhë dikë tjetër e nuk do të jetë i kënaqur me alternativë tjetër përveç tij, ai i sfidon rivalët dhe kundërshtarët, si dhe këdo që nuk i beson fjalës së tij, duke i thirrur të kandidojnë personalisht në zgjedhjet presidenciale, që mbahen dhe pas kësaj të tjerët heshtin e asnjëri nuk kandidon nga frika e terrorit, pushtetit dhe fuqisë së tij; në këtë rast heshtja nuk tregon mbi saktësinë e asaj që sfidanti pretendon për veten e tij.

Këto janë tre kushtet e domosdoshme, që sfida të konsiderohet reale, evidente dhe e realizueshme. A janë të siguruara këto kushte në rastin e sfidës kuranore, që u është proklamuar idhujtarëve, e publikuar përmes gjuhës së Profetit të Allahut?  

Realizimi i kushteve të sfidës që Kurani u bëri rivalëve

Të gjitha kushtet e sfidës që përmendëm, janë të pranishme në sfidën që Kurani u bëri rivalëve. Sqarimi lidhur me këtë është si vijon:

Kushti i parë: Përsa i përket kushtit të parë, i cili është që objekti i sfidës të përfshihet në eksperiencën e atyre të cilëve u drejtohet sfida, dihet se kurejshët dhe mbarë arabët janë shquar për elokuencën, oratorinë dhe njohurinë e tyre në lëmin e gjuhës arabe, gjë në të ciën ata u spikatën në aspektin e të folurit, publikuarit, lëvruarit dhe rimës, aq sa ata organizonin edhe festivale letrare lidhur me përzgjedhjen e vjershës me të mirë. Gjithashtu dihet fakti, se Allahu e zbriti Kuranin në gjuhën e arabëve, duke qenë se Ai i sfidoi ata me të dhe u tha: Nëse jeni dyshues mbi faktin se ky Kuran është fjala e Allahut zbritur mbi profetin Muhamed (a.s), atëherë sillni një si ai, ose dhjetë sure si të atij, ose një sure si të atij. Kjo është një sfidë, që hyn tek eksperienca dhe mjeshtëria e të sfiduarve, gjë që nxjerr në pah, se ky kusht është realizuar në sfidën që Kurani u bën rivalëve.

Kushti i dytë: Lidhur me kushtin e dytë, i cili është që rivalët prej kurejshëve dhe të tjerët veç tyre, të dëshironin ta rrëzonin pretendimin e Profetit (a.s) dhe të verifikonin pretendimin e tyre, se ai nuk është i Dërguar i Allahut, ky kusht është prezent, gjë të cilën e dinë edhe nxënësit e vegjël që lexojnë  mbi historinë islame. Është e qartë, se kurejshët nuk ishin të kënaqur me pretendimin e Profetit (a.s) dhe u përpoqën sa e sa herë ta rrëzonin këtë pretendim, duke ndjekur rrugën e joshjes, përmes ofertës që kurejshët i bënë Ebu Talibit për ta ndaluar nipin e tij, Muhamedin (a.s), që të vazhdonte në pretendimin dhe thirrjen e tij. Përkundrejt kësaj ata t’i jepnin atij aq pasuri, sa ai të bëhej më i pasuri ndër ta, ta bënin kryetar të tyre e të ishte kryeqeveritari i tyre, ose ta dërgonin atë tek specialistët e sëmundjeve psikologjike, nëse ajo me çfarë ai kishte ardhur dhe e kishte gjetur, ishte një gjë që kishte nevojë për doktor dhe kurim. Por përgjigjja që Profeti (a.s) i dha xhaxhait të tij, pasi ai ia paraqiti propozimin e kurejshëve, ishte: “Për Allahun o xhaxha, edhe nëse do të ma vendosin diellin në të djathtën time dhe hënën në të majtën time, unë nuk do ta braktis këtë çështje, derisa Allahu ta triumfojë atë ose të vdes në të”. Kjo ishte përgjigja e Muhamedit (a.s).

Më pas kurejshët ndoqën rrugën e kërcënimit, dëmtimit dhe embargos ekonomike kundër Profetit të Allahut dhe atyre që qenë në anën e tij. Ata ndoqën rrugën e shpifjes kundër Profetit (a.s) dhe akuzimin e tij me gjëra nga të cilat ai ishte i pafajshëm. Ndër to përmendim: ai është i çmendur, ose magjistar, ose shpifës. Ata e tepruan duke e dëmtuar atë dhe muslimanët. Kurejshët i ndëshkuan disa muslimanë deri në vdekje, disa muslimanë të tjerë u arratisën dy herë në Abisini për shkak të këtij persekutimi dhe keqtrajtimi brutal. E gjitha kjo tregon qartë mbi dëshirën e plotë dhe angazhimin maksimal të kurejshëve që të rrëzonin pretendimin e Profetit (a.s).

Kushti i tretë: I cili është mosprania e një pengese, që të pengonte kundërpërgjigjen ndaj sfidës dhe rrëzimin e saj. Ky kusht është i pranishëm në sfidën e Kuranit. Dihet edhe në mesin e nxënësve të vegjël që mësojnë historinë islame, se pushteti, fuqia dhe influenca, e gjitha kjo në Meke ishte në dorën e idhujtarëve, ndërsa muslimanët dhe i Dërguari i tyre (a.s) nuk posedonin asgjë nga kjo. Ata ishin të vobektë, nuk e kishin në dorë situatën dhe pushtetin, madje disa prej tyre, për të mbrojtur fenë e tyre, emigruan në Abisini, siç e përmendëm më lart, kurse në fund fare ata emigruan në Medine, ku emigroi edhe vetë Profeti (a.s). E gjitha kjo tregon, se asgjë nuk i pengonte kurejshët, që t’i përgjigjeshin sfidës dhe ta rrëzonin atë, si dhe të  verifikonin, po të mundeshin, pretendimet e tyre se Kurani nuk është fjala e Allahu dhe se Muhamedi nuk është i dërguar i Allahut.

Rezultati i sfidës dhe treguesi i saj

Rezultati i sfidës, që Kurani u bëri idhujtarëve, ishte paaftësia dhe heshtja e tyre, gjë për të cilën folëm më lart. Duke qenë se paaftësia e tyre u bë realitet, teksa kushtet e sfidës ishin evidente, u verifikua vërtetësia e Profetit (a.s), pra fakti se ai është i Dërguari i Allahut dhe se Kurani është libri i Allahut. Ky verifikim nxjerr si detyrë para krijesave, besimin tek profetësia e tij, pasimin e tij dhe hyrjen nën komandën e Sheriatit-Ligjit, me të cilin ai erdhi nga Zoti i tij, si dhe besimin në gjithë sa erdhi me të, pra Kurani dhe Tradita e Dëlirë Profetike. Kjo është pikërisht ajo që kërkohet prej nesh.

Vazhdimësia e sfidës dhe treguesi i saj

Sfida që Kurani u bën rivalëve, mbeti evidente dhe e drejtuar tek çdo person dyshues në profetësinë e Muhamedit (a.s) dhe dyshon se Kurani është fjala e Allahut të Lartësuar. Kjo sfidë qëndron sot e kësaj dite dhe do mbetet, derisa Allahu ta trashëgojë këtë tokë dhe t’i trashëgojë ata që gjenden mbi të. Por për çfarë tregon kjo? Kjo është e qartë. Një gjë e tillë tregon verifikimin dhe vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit (a.s) me argumente të pakundërshtueshme, fakte të ndritshme dhe vërtetime evidente të pranishme në duart tona sot, të cilat asnjë mohues nuk mund t’i refuzojë dhe t’i përcaktojë si të gabuara. Kështu mësuam, se argumenti i profetësisë së tij ka mbetur evident në vazhdimësi, prej kohës së profetësisë së Muhamedit (a.s) deri më sot. Mësuam, se Islami është ballafaquar me rivalët dhe kundërshtarët  e ndryshëm, me mohuesit (qafirat), posedues të ideve të kota, të cilët derdhën të gjithë mundin që posedonin, duke sharë dhe goditur Islamin, duke mbjellë dyshime mbi të, duke futur në të çfarë s’është prej tij dhe duke i ndotur idetë dhe ideologjitë e tij, por me gjithë këtë ata nuk guxuan t’i kundërpërgjigjen sfidës së tij dhe ta thyejnë atë. Nisur nga kjo, themi se pasi e mësuam këtë, kemi mësuar fuqinë e këtij argumenti, pra argumentit të mrekullisë kuranore mbi vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit (a.s) dhe mbi vërtetësinë e shpalljes së tij. Vërtetësia e këtij argumenti është verifikuar për një periudhë prej katërmbëdhjetë shekujsh dhe është argumenti më i madh evident mbi profetësinë e Muhamedit (a.s).

Mohimi i profetësisë së Muhamedit (a.s) përbën cënim të arsyes njerëzore

Bazuar në sa përmendëm, mohimi i profetësisë së Muhamedit (a.s) pas shfaqjes së argumentit kategorik mbi vërtetësinë e profetësisë së tij, konsiderohet cënim, shtrembërim i arsyes së drejtë njerëzore, abuzim, inat i dukshëm dhe krim i madh, ndaj dhe dënimi i Allahut për ata, që e mohojnë këtë dhe të tjerë të ngjashëm me ta, qe i rreptë. Për shkak të mohimit abuzues, këta persona  iu bashkangjitën numrit të qafirave rivalizues të Allahut. Kjo është e para, ndërsa tjetra është, se atij që mohon profetësinë e Muhamedit (a.s) nuk i mbetet absolutisht asnjë rrugë për të besuar në asnjë profet, pasi kush mohon ekzistencën e diellit që shihet, nuk do ketë rrugë të besojë në ekzistencën e një ylli që nuk shihet dhe nëse ai beson lidhur me ekzistencën e yllit, ky besim i tij lidhur me yllin përbën një paradoks dhe lidhur me diellin përbën një mohim.

Verifikimi i profetësisë së Muhamedit (a.s) përbën verifikim të të gjitha profetësive

Pas asaj që thamë më lart, na mbetet të themi, se profetësia e Muhamedit (a.s) përbën verifikim për të gjitha profetësitë dhe personazhet e tyre, profetët fisnikë, që i ka përmendur Kurani. Ky verifikim është bërë përmes argumentit të mrekullisë së Kuranit, i cili nga njëra anë vërteton se Kurani është prej Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij dhe nga ana tjetër konfirmon çdo gjë që gjendet në Kuran dhe çdo gjë që ka vepruar apo urdhëruar Muhamedi (a.s). Këtë e themi, sepse ne përveç Kuranit dhe Hadithit nuk posedojmë asnjë argument tjetër kategorik të gjallë mbi konfirmimin e profetësisë së cilitdo profeti para Muhamedit (a.s) dhe bazuar në këtë, kush mohon profetësinë e Muhamedit (a.s) dhe dëshiron të thërrasë në besim tek profetësia e tjetërkujt veç tij, bie në pardoks dhe i jep arsye rivalëve, të mohojnë vërtetësinë e origjinës së profetësive, ndaj dhe mohimi i profetësisë së kujtdo profeti prej atyre që konfirmon Islami, është mohim i shpalljes islame, pasi një gjë e tillë përbën përgënjeshtrimin e një pjese prej asaj çfarë ka ardhur me të Kurani.

Domosdoshmëria e besimit në profetësinë e Muhamedit (a.s) dhe angazhimet e saj

Besimi se Muhamedi (a.s) është profet dhe i dërguar, nxjerr si domosdoshmëri dorëzimin kategorik dhe të plotë kundrejt asaj, me të cilën ai ka ardhur dhe për të cilën ka lajmëruar, besueshmërinë e sinqertë në të dhe bindjen ndaj tij në atë që ai ka urdhëruar dhe ka ndaluar, pa u vënë në siklet, pa u zënë ngusht dhe pa asnjë diskutim, debat, apo koment, si dhe pa marrë diçka dhe lënë diçka tjetër. Të gjitha këto gjëra negative bien ndesh me domosdoshmëritë dhe pohimet e besimit se Muhamedi (a.s) është profet dhe i dërguar. Në mbështetje të kësaj pike erdhën të gjitha tekstet kuranore, pra për t’i verifikuar dhe sqaruar këto gjëra dhe të tjera veç tyre, që përbëjnë domosdoshmëritë e besimit në profetësinë e Muhamedit (a.s). Prej këtyre teksteve të ardhura nga Kurani Madhështor janë fjalët e Allahut të Lartësuar: “E bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, në mënyrë që të mëshiroheni”[10]. “Thuaj: ‘Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë”[11]. “Thuaj: ‘Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, e nëse ata refuzojnë, atëherë Allahu nuk i do pabesimtarët!”[12]. “Kush i bindet Profetit, i është bindur Allahut…”[13]. “Kur thirren besimtarët për gjykim ndërmjet tyre te Allahu dhe te i Dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: ‘Dëgjuam dhe respektuam!’ Të tillët janë ata të shpëtuarit”[14]. “…E kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Ai atë e shtie në xhenete ku rrjedhin lumenj, e kush mbetet prapa, Ai atë e ndëshkon me një dënim të dhembshëm”[15]. Çka t’ju japë Profeti, atë merreni, e çka t’ju ndalojë, përmbajuni dhe kini frikë Allahun, se Allahu është ndëshkues i ashpër[16]. “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfarë. E kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës”[17]. “Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te Allahu (te libri i Tij) dhe te i Dërguari, po qe se i besoni Allahut dhe Amshimit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë”[18]. “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos të zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt, që ndodh mes tyre e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (nuk do besojnë derisa) të mos binden sinqerisht”[19]. “…le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (e Profetit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënim i dhembshëm”[20].

Këto tekste dhe të ngjashme me to janë të shumta në Kuran. Ato i kujtojnë besimtarët me domosdoshmërinë e besimit të tyre tek Muhamedi (a.s) se ai është profet dhe i dërguar dhe me angazhimet e këtij besimi, herë duke i urdhëruar ata të binden, pasi bindja ndaj tij është bindje ndaj Allahut dhe shpërblimi për ata që binden janë xhenetet e Adenit, ndërsa shpërblimi i kundërshtuesve është ndëshkimi i zjarrit; herë u sqaron atyre se besimi në Muhamedin (a.s) fton, që të merret ajo çfarë ka urdhëruar Profeti (a.s) dhe të lihet ajo që ai ka ndaluar, sepse është detyrim të tregohet bindje gjykimit të Profetit (a.s) e nuk është çështje, ku muslimani ka dorë të lirë. Referimi në rast kundërshtimesh duhet të bëhet tek Allahu dhe Profeti (a.s) dhe se besimi i vërtetë në Muhamedin (a.s), na shtyn të jemi të kënaqur me gjykimin, dispozitën dhe atë që ai thotë. Kurse në raste të tjera tekstet e Kuranit sqarojnë, se kundërshtimi i urdhërit të Profetit dhe kundërvënia ndaj tij është shkak për ndëshkimin e Allahut dhe urrejtjen e Tij dhe se ata, që i kundërvihen atij, do ballafaqohen me sprovën dhe ndëshkimin e dhembshur.

Është realitet fakti, se ajo çfarë përmendin këto tekste, është rezultat logjik mbi besimin në Muhamedin (a.s) dhe kënaqjen me të për profet, pasi është paradoks dhe e papranueshme për arsyen e shëndoshë, që njeriu të besojë në Muhamedin (a.s) pastaj të mos pajtohet me të në disa çështje, me të cilat ai ka ardhur, të mos e kënaqin gjërat me të cilat ai ka ardhur, të komentojë jashtë kontekstit profetik disa gjëra prej atyre me çfarë ai erdhi, ose t’iu kundërvihet disa prej gjërave me të cilat ai erdhi, etj. Këto gjëra kurrsesi nuk përputhen me domosdoshmërinë e besimit në të… Nëse njeriu beson, se filani është ekspert dhe i shquar në mjekësi, ai pranon pre tij çfarë thotë ky mjek në çështjen e mjekësisë dhe atë çfarë ai i thotë lidhur me sëmundjen e tij, rrugët e kurimit të saj, i ndjek orinetimet e tij lidhur me çfarë duhet të hajë, pijë, të marrë dhe të lërë dhe as që i bie ndërmend t’i kundërvihet apo ta debatojë.  Përderisa rruga në fjalë konsiderohet e arsyeshme dhe e drejtë, përsa i përket doktorit, teksa dihet se ai edhe mund të gabojë në gjërat që thotë dhe këshillat që jep, atëherë si i lejohet atij që e beson Muhamedin (a.s) për profet dhe të dërguar, që t’i kundërvihet atij dhe ta debatojë?!  

Detyrimi ynë kundrejt Profetit (a.s)

Detyra e muslimanit kundrejt Profetit (a.s), pasiqë Allahu e begatoi me besimin në të dhe besimin në gjithësa ai lajmëron, është t’i bindet atij në gjithçka që ai urdhëron apo ndalon dhe ta pranojë një gjë të tillë me një dorëzim të plotë, siç e shpjeguam këtë më lart, kur përmendëm tekstet kuranore që flasin për këtë çështje.

Prej detyrimeve tona të tjera ndaj Profetit (a.s) janë edhe këto:

Së pari: Ta duam atë më shumë se ç’duam veten, fëmijën, familjen, pasurinë dhe njerëzit mbarë. Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka për të besuar dikush nga ju, derisa të jem tek ai më i dashur se vetja e vet, fëmija, pasuria dhe njerëzit e tij mbarë”. Dihet se vërtetësia e dashurisë së Profetit (a.s) qëndron në ndjekjen e kulluar të tij. Vetëm ai që vepron në mënyrë të tillë është ai që e do Profetin dhe e kënaq realisht. Tek dashuria e Profetit (a.s) hyn edhe nxitimi në ato gjëra që e kënaqin atë, që është një gjë për të cilën na ka urdhëruar Allahu dhe është prej angazhimeve të dashurisë së sinqertë, Allahu i Lartësuar thotë: “Ata ju betohen (ju muslimanëve) në Allahun për t’ju bërë juve të kënaqur (se s’kanë qëllime të këqija), e më e drejtë është që ata të bëjnë të kënaqur Allahun dhe të Dërguarin e Tij (me adhurim dhe vepra të sinqerta) nëse vërtet janë besimtarë”[21].

Së dyti: Respektimi, nderimi dhe vlerësimi i tij, i gjallë dhe i vdekur, Allahu i Lartësuar thotë: “Kur ta thërrisni të Dërguarin, mos e bëni këtë njëjtë sikurse ç’e thërrisni njëri-tjetrin…”[22]; Profeti fisnik nuk është një njeri i rëndomtë, por ai është i Dërguar i Allahut, ndaj njerëzit duhet ta nderojnë, vlerësojnë dhe respektojnë atë dhe kur i drejtohen dhe e thërrasin, duhet t’i thonë atij o i Dërguari i Allahut, o Profeti i Allahut. Këto janë disa nga kuptimet e ajetit kuranor në fjalë.

Prej spikatjeve të nderimit dhe respektimit të tij janë, që të mos i paraprijmë fjalës së tij dhe mos ta ngremë zërin mbi zërin e tij, Allahu i Lartësuar ka thënë: “O besimtarë, mos i paraprini Zotit dhe të Dërguarit të Tij, kini kujdes Allahun, se me të vërtetë Allahu i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha. O ju që keni besuar, mos ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të ngritur (kur bisedoni vetëm për vetëm me të) ashtu siç bëni me njëri-tjetrin, e të zhduken veprat tuaja pa e hetuar. Ata që ulin zërat e tyre pranë të Dërguarit të Allahut, Allahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri, ata kanë falje mëkatesh dhe shpërblim të madh”[23]. Respekti dhe nderimi në fjalë, qëndron edhe sot pas vdekjes së tij, duke mos e ngritur zërin në xhaminë e tij dhe pranë varrit të tij. Po kështu duhet që teksa dëgjojmë hadithin e tij fisnik dhe traditën e tij të dëlirë, të tregohemi të edukuar dhe t’i japim vëmendjen dhe dëgjimin tonë të plotë atyre, të kënaqemi me to dhe të mos u dalim kundër me mendime të pasakta. Kur muslimani dëgjon “Ka thënë i Dërguari i Allahut”, le ta dijë se asnjë fjalë e dikujt tjetër nuk bën të vijë krahas fjalës së të Dërguarit të Allahut dhe nuk duhet bërë asnjë rivalitet ndaj saj, por duhet të jetë i dëgjueshëm, ta kuptojë thënien profetike dhe ta zbatojë atë.

Së treti: Largimi i tërësishëm dhe total nga dëmtimi i Profetit (a.s) në çdo gjë të mundshme dhe me çfarëdo vlere të mundshme. E gjitha kjo është haram dhe mund të shpjerë në konsiderimin e muslimanit të tillë “i dalë nga Islami”, Allahu i Lartësuar thotë: “…Juve nuk u takon ta mundoni të Dërguarin e Allahut…[24], dhe ka thënë: “…e ata që nuk e lënë të qetë (që e dëmtojnë) të Dërguarin e Allahut, ata kanë dënim të dhembshëm”[25]. Në zonën e dëmtimit të tij hyn: dëmtimi i tij (a.s) duke e tallur, duke e sharë dhe treguar armiqësi lidhur me gratë e tij të ndershme, nënat e besimtarëve. Në lidhje me këtë Allahu i Lartësuar ka thënë: “…gratë e tij janë nënat e tyre (besimtarëve)…” dhe gratë e tij janë të tilla për të në dynja dhe Amshim. Po kështu tek dëmtimi i tij (a.s) hyn dëmtimi i tij përmes sharjes, kanosjes apo armiqësimit kundrejt familjarëve të tij të dëlirë (Ehli Bejtit).

Së katërti: Të biem në salavat për të (të themi “es salatu ue selamu alejhi”), Allahu i Lartësuar ka thënë: “Vërtetë që Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Profetin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke bërë për të salavatë) dhe përshëndeteni me selam” [Ahzab: 56].

Kujdesi që kërkohet për të mos ngatërruar midis të drejtave që i takojnë Allahut dhe të drejtave që i takojnë Profetit (a.s)

Nga gjërat që duhen përmendur dhe sjellur në vëmendje, është kujdesi për të mos ngatërruar midis të drejtave që i takojnë Allahut dhe të drejtave që i takojnë Profetit (a.s). Muslimani mund të bjerë në një gjë të tillë pa e kuptuar, ose mund të bjerë me dashje por duke kujtuar se një gjë e tillë është një e drejtë që i takon Profetit Muhamed (a.s) dhe është prej detyrimeve të muslimanit karshi tij, ose se një gjë e tillë është rezultat i dashurisë së pamasë për Profetin (a.s): duke rënë kështu në shirkun e fshehtë ose të hapur (idhujtarinë-shokvurjen Allahut), e prej këtu duke rënë në zemërimin e Allahut.

Dashuria e vërtetë ndaj profetit Muhamed (a.s) është ndjekja e tij dhe nxitimi në atë që e kënaq atë, gjë që përmbushet vetëm me përkushtim dhe duke e pasuar Sheriatin-Ligjin e tij, me të cilin ai erdhi nga Zoti i tij, si dhe Traditën e tij të folur dhe praktikuar. Ajo që dihet është, se ajo gjë me të cilën erdhi i Dërguari i Allahut (a.s) prej Zotit të tij, është unifikimi i Allahut me adhurim në të gjitha trajtat dhe pamjet e adhurimit dhe askush nuk meriton asnjë grimcë adhurimi, kushdo qoftë ai. Kjo gjë përnën kuptimin e Njësimit (Teuhidit), që e sqaruam më parë.

Që këto kuptime të larta të realizohen në shpirtrat e besimtarëve, Kurani fisnik sqaroi, se Muhamedi (a.s) është një njeri. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Thuaju (atyre o  Muhamed): ‘Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se Zoti juaj është Një Zot i Vetëm”[26].

Profeti nuk ka në dorë as mirë dhe as keq për veten e tij, por Sunduesi i kësaj (dobisë) dhe asaj (dëmit) është Allahu i Lartësuar. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Thuaj: ‘Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, ajo që bëhet është vetëm çfarë Allahu do. Sikur ta dija të fshehtën, do t’i shumoja për vete dobitë, e nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër vetëm se qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë”[27]. Bazuar në këtë, themi se shpëtimi dhe kërkimi ndihmë dhe derman nga e keqja i bëhet vetëm Allahut të Lartësuar, i Cili na fton t’i kërkojmë dhe t’i drejtohemi vetëm Atij. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Lutmuni që Unë t’ju përgjigjem…”[28]. Kurse në një ajet tjetër Ai thotë: “E kur robët e Mi të të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet…”[29]. Po kështu frika dhe ruajtja (devocioni) i takojnë Allahut, mbështetja i bëhet vetëm Allahut, pasi Ai është Garantuesi, falë Lavdisë dhe Madhështisë së Tij. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ia ka frikën Allahut dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, të tillët janë ata që do ta arrijnë atë që dëshirojnë”[30] dhe ka thënë: “E sikur të kënaqeshin me atë që ua dha Allahu dhe i Dërguari i Tij, e të thonin: ‘Neve na mjafton Allahu, Allahu do të na furnizojë nga të mirat e Tij, e edhe i Dërguari i Tij, dhe vetëm te Allahu e mbështesim dëshirën (do të ishte shumë më mirë për ta)[31]. Këto thënie janë të qarta në përcaktimin e asaj që i takon Allahut prej të drejtës dhe asaj çfarë i takon Profetit prej të drejtës. Prej të drejtave që i takojnë vetëm Allahut Lartësuar, janë frika prej Tij dhe devotshmëria (korrektësia) ndaj Tij, mjaftimi i robit të Tij vetëm me Të, mbështetja vetëm tek Ai dhe lakmimi vetëm prej Tij. Ndërsa bindja, është e drejtë e Allahut dhe e drejtë e Profetit të Tij (a.s), ku bindja ndaj Profetit në thelbin dhe realitetin e saj është bindje ndaj Allahut. Prej të drejtave të Profetit është, që ai t’i japë prej plaçkës së luftës dhe “fej-it” (plaçkës së luftës së marrë pa konfrontim) etj, kujtdo që ai e sheh të arsyeshme. 

Profeti (a.s) thotë në hadithin fisnik: “Mos e teproni në lëvdimin tim, sikurse e tepruan të krishterët në lëvdimin e Isait, birit të Merjemes, në fakt unë jam rob i Allahut, thoni (për mua) rob i Allahur dhe profet i Tij”. Një personi i tha profetit (a.s): “Është ajo që ka dashur Allahu dhe do ti”. Profeti (a.s) ia ktheu: “A më bëre mua homolog (shok) me Allahun?!”. Profeti fisnik (a.s) erdhi me Njësimin-Teuhidin e kulluar për Allahun, Zotin e botëve. Prej angazhimit të tij kulminant kundrejt asaj çfarë i bënte dobi muslimanëve, ishte fakti se ai ua sqaroi atyre Njësimin dhe ua sqaroi edhe kuptimet e Shirkut-Shokvurjes ndaj Allahut, me qëllim që të mos binin në të, gjë që i dedikohet këshillës, mëshirës dhe butësië së tij komplekse ndaj kombit të tij (a.s); Allahu e shpërbleftë për atë që ai bëri për ne me shpërblimin më të mirë, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Juve ju erdhi i Dërguar nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët”[32]. Gjithashtu në një ajet tjetër Ai thotë: “Profeti është më i ndjeshëm ndaj besimtarëve se sa ata ndaj vetë vetvetes së tyre…”[33].


[1] Kuran, Nisa, ajeti: 164.

[2] Kuran, Enam, ajeti: 91.

[3] Kuran, Ahzab, ajeti: 40.

[4] Kuran, Maide, ajeti: 3.

[5] Kuran, Isra, ajeti: 88.

[6] Kuran, Hud, ajeti: 13.

[7] Kuran, Junus, ajeti: 37-38.

[8] Kuran, Bekare, ajeti: 23-24.

[9] Kuran, Fusilet, ajeti: 26.

[10] Kuran, Ali Imran, ajeti: 132.

[11] Kuran, Ali Imran, ajeti: 31.

[12] Kuran, Ali Imran, ajeti: 32.

[13] Kuran, Nisa, ajeti: 80.

[14] Kuran, Nur, ajeti: 51.

[15] Kuran, Fet‘h, ajeti: 17.

[16] Kuran, Hashr, ajeti: 7.

[17] Kuran, Ahzab, ajeti: 36.

[18] Kuran, Nisa, ajeti: 59.

[19] Kuran, Nisa, ajeti: 65.

[20] Kuran, Nur, ajeti: 63.

[21] Kuran, Teube, ajeti: 62.

[22] Kuran, Nur, ajeti: 63.

[23] Kuran, Huxhurat, ajeti: 1-3.

[24] Kuran, Ahzab, ajeti: 53.

[25] Kuran, Teube, ajeti: 61.

[26] Kuran, Kehf, ajeti: 110.

[27] Kuran, Araf, ajeti: 188.

[28] Kuran, Gafir, ajeti: 60.

[29] Kuran, Bekare, ajeti: 186.

[30] Kuran, Nur, ajeti: 52.

[31] Kuran, Teube, ajeti: 59.

[32] Kuran, Teube, ajeti: 128.

[33] Kuran, Ahzab, ajeti: 6.

Perktheu: Altin Torba

(Visited 90 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT