Dhjetë ditët më të mira!


Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin famëlartë: “Pasha agimin, Pasha dhjetë netët! El Fexhër: 1-2.

“Këto janë dhjetë ditët e para të muajit Dhulhixhe”

Por cili është shkaku që këto ditë kanë marrë këtë vlerë kaq të madhe, aq sa dhe vet Zoti i Madhëruar betohet në to?!

Besoj se mjafton ky fakt për të na nxitur që të zbulojmë të veçantën e tyre e më pas të përfitojmë nga dhuratat që Zoti ka vendosur pikërisht në këto ditë të veçanta dhe olot begati, të cilat janë një stacion për përmirësimin e vehtes dhe arritjen e gradave të larta tek Allahu.

Ibnu Abasi përcjell se Profeti –lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të– ka thënë: “Nuk ka ditë që punët e mira të jenë më me vlerë në to se sa puna në këto (dhjetë ditë). – i thanë – O i Dërguari i Allahut! As lufta në rrugë të Allahut?! – tha – As lufta në rrugë të Allahut. Vetëm nëse (përjashtim bën:) ai burrë që del në luftë bashkë me pasurinë e tij dhe pastaj nuk kthehet me asgjë prej këtyre.” Buhariu

Në një tjetër hadith thuhet se Profeti –lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të– ka thënë: “Dita më madhështore është dita e kurban bajramit dhe pastaj dita pas saj.” Ahmedi

Nga mirësitë e Allahut, është se Ai për robërit e Tij ka vendosur herë pas here kohë të begata, në të cilat u shumfishon shpërblimet robërve të Tij dhe i pastron e shlyen gabimet.

Njëra nga këto kohë të begata janë dhe dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixhe në të cilën mblidhen të gjitha adhurimet.

Në to kryhet Haxhi dhe kurbani, falen namazet, lexohet dhe Kurani; në to agjërohet dhe me sadaka dhe punë të mira garohet.

Prandaj dhe Zoti thotë në Kuran: Dhe ju shpejtoni për te Zoti juaj dhe Xheneti gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe toka”.

Këto dhjetë ditë janë ditët më të mira, ato janë me vlerë edhe më të madhe se ditët e Ramazanit.

Në këto ditë gjendet dita e Arafatit, kush e agjëron atë do t’i falen gjynahet e këtij viti dhe vitit të kaluar. Profeti –lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të– ka thënë: “Agjërimi në ditën e Arafatit shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe atij që do të vijë, kurse agjërimi në ditën e Ashurasë shlyen mëkatet e vitit të kaluar.”  Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Davudi.

Kështuqë puna e mirë e përmendur në hadithin e mësiërm përfshin çdo fjalë dhe vepër të mirë prej adhurimeve dhe ndër adhurimet më të rëndësishme që mund të kryejë muslimani në këto ditë janë:

Dhikri (përmendja e) Allahut:

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai.” (El-Haxh: 28) Këto ditë të caktuara janë dhjetë ditët e para të dhul-hixhes.

Haxhi:

Haxhi është adhurimi më i rënsdësishëm që kryhet në këto ditë dhe Profeti –lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të– ka thënë: “Për haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit” Buhariu dhe Muslimi

Në një hadith tjetër Profeti –lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të– ka thënë: “Kush e kryen Haxhin pa kryer vepra të liga dhe pa e prishur gojën, kthehet si ditën që ka lindur.” Buhariu dhe Muslimi

Kurbani:

Ai i cili dëshiron të bëjë kurban nuk duhet të presë thonjtë dhe të heqë qimet nga trupi i tij gjatë këtyre ditëve, derisa të bëjë kurbanin.

Gjithashtu nga adhurimet e tjera që mund të kryhen në këto ditë janë: namazet nafile, leximi i Kuranit, sadakaja, sjellja e mirë me prindërit dhe të afërmit, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja,… etj.

Kështu vëlla dhe ti o motër, dhjetë ditët e muajit Dhulhixhe, janë ditët më të mira, në to Allahu i foli Musait, plotësoi këtë fe, në to është dita e Arafatit, dhe në to bashkohen shtyllat e Islamit.

Bledar Tefik Haxhiu

(Visited 90 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT