DITA E ASHURAS DHE DISPOZITAT RRETH SAJ


Ç’është Ashura apo, ajo që njihet tek njerëzit si ashurja apo ashure?

Përgjigjen e marrim nga argumentet e fesë e jo nga llogjika e infektuar nga bestytnitë e kota që “Allahu nuk ka zbritur për të tilla pretendime asnjë lloj argumenti, vetëm se pasojnë hamendjet dhe epshet, megjithëse u erdhi  prej Zotit të tyre udhëzimi.” (Nexhm, 23)

Ashura është dita e dhjetë e muajit muharrem sipas mendimit më të drejtë të dijetarëve muslimanë, bazuar në gjuhën arabe, ngaqë Ashura vjen nga fjala ashara (e dhjeta)  dhe në hadithe si “Ashura është dita e dhjetë.” Trasmeton Darul Kutnij, Bejhakiu. Albani ka thënë: “Hadith i vërtetë”.

Ndërsa për sa i përket lidhjes që i bëhet kësaj dite me ndonjë ushqim të posaçëm siç pretendojnë disa, themise pretendime të tilla janë pa bazë, por “…pasojnë hamendjet dhe epshet, megjithëse u erdhi  prej Zotit të tyre udhëzimi.” (Nexhm, 23)

Ashura fitorja e besimit mbi kufrin

 “Kjo është ditë e madhe, në të Allahu i Madhëruar shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe mbyti Faraonin dhe popullin e tij.” Muslimi

Ashura ditë e njohur te Kurejshët

“Kurejshët agjëronin ditën e Ashuras në kohën e xhahilijetit (përpara Islamit) dhe i Dërguari i Allahut (alejhi selam) e agjëronte”. Transmeton Buhariu nga Aishja.

Disa dijetarë kanë thënë se ndoshta kjo është përcjellur dhe trashëguar nga feja e Ibrahimit (alejhi selam)

Agjerimi ditën e Ashuras

 “Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut (alejhi selam) që t’i kushtojë rëndësi ndonjë dite ashtu siç i kushtonte rëndësi kësaj dite, Ashuras.” Transmeton Buhariu nga Ibn Abasi

Vlera e agjërimit të kësaj dite

“Agjërimi i Ashuras shpresoj prej Allahut  të m’i falë me këtë agjërim gjynahet e  vitit të kaluar”. Muslimi

“Agjërimi i Ashuras është shkak që të falen gjynahet e vitit të kaluar”.Muslimi Ebu Daudi Nesaiu etj.

Ka pasur prej të parëve tanë të mirë që e agjëronin këtë ditë edhe nëse udhëtonin. 

Mënyrat e agjërimit të kësaj dite

Përpara se të përmendim mënyrën e agjërimit të Ashuras duam të theksojmë se agjërimi në Islam nënkupton:

Mosngrënie, mospirje, largim nga kontaktet intime nga agimi deri në perëndim të diellit.

E kushdo që bën agjërim tjetër veç këtij u themi: Kushdo që e kryen ndonjë vepër (punë) që nuk e kemi kryer ne, ajo do të konsiderohet e refuzuar.” Tansmeton Muslimi nga Aishja.

Dijetarët kanë përmendur disa mënyra rreth agjërimit të kësaj dite:

1. Të agjërohet një ditë përpara dhe një ditë pas, kjo duke u nisur nga dy arsye:

a) Hadithi i Ibn Abasit në Musnedin e Imam Ahmedit: “Agjëroni Ashuran e mos përngjasoni me çifutët, por agjëroni një ditë para e një ditë pas”. Ahmed Shakir thotë se është hadith hasen.

b) Duke u nisur nga mossiguria e qënies atë ditë apo jo, pra për të qenë më të sigurtë. Ibnul Kajim ka thënë: “Mënyra më e plotë është të agjërohet një ditë para ashuras e një ditë pas”. “Zadul Mead” vwll. II. f.278

2.Agjërimi i ditës së Ashuras dhe i ditës së nëntë. Për këtë gjë kanë ardhur hadithe të vërteta e të qarta siç u përmendën më lart.

3.Agjërimi i kësaj dite të vetme.

Fazat që ka kaluar agjërimi i Ashuras

1. I dashuri ynë (alejhi selam) e agjëronte ditën e Ashuras në Mekë, porse nuk i urdhëronte njerëzit që ta agjëronin.

“Kurejshët agjëronin ditën e Ashuras në kohën e xhahilijetit (përpara Islamit) dhe i Dërguari i Allahut (alejhi selam) e agjëronte.”  Buhariu nga Aishja.

2. Në Medine agjëroi dhe urdhëroi të agjërohej. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) pasi emigroi në Medine pa se çifutët e agjëronin ditën e Ashuras, u tha atyre: “Ç’është kjo ditë që agjëroni?” Thanë: “ Ditë e madhe, në të Allahu i Madhëruar shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e mbyti Faraonin dhe popullin e tij, agjëroi Musai këtë ditë si falënderim ndaj Allahut dhe ne e agjërojmë.” Profeti (alejhi selam) tha: “Ne na takon ta nderojmë Musain më tepër sesa ju”. Agjëroi dhe urdhëroi të agjërohej. Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ibn Abasi

Mendimi më i drejtë i dijetarëve është se në këtë kohë derisa u bë obligim Ramazani ishte obligim agjërimi i Ashuras. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) urdhëroi dikë nga fisi eslem që të lajmëronte njerëzit mbarë se kush ka ngrënë sot (ditën e Ashuras) ta ndërpresë ushqimin dhe se kush nuk ka ngrënë le të agjërojë”. Transmeton Buhariu Muslimi nga Seleme bin Akua.

Jo vetëm kaq, por urdhëronte edhe të vegjlit të agjëronin këtë ditë. “…urdhëroi të agjëronim ashuran dhe të agjërojnë dhe të vegjlit tanë”. Transmeton Buhariu Muslimi nga Rubej bintu Muadh.

3. Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, nuk urdhëronte më.

“Na urdhëronte i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ta agjëronim Ashuran përpara se të bëhej obligim agjërimi i Ramazanit, kur u bë obligim agjërimi i Ramazanit nuk na urdhëronte më, mirëpo ne agjëronim”. Transmeton Muslimi nga Kajs Bin Sa’d bin Ubadij.

Nuk ka dyshim se agjërimi i kësaj dite është i pëlqyeshëm, duke u bazuar në hadithet e lartpërmendura.

4.Dëshira e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) që mos ta agjëronte këtë ditë të vetme por ta shoqëronte atë për të mos përngjasuar me ithtarët e librit.

Kur agjëroi i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ditën e Ashuras dhe urdhëroi të agjërohej, thanë sahabët: “O i Dërguari i Allahut, kjo është ditë që e madhërojnë çifutët dhe të krishterët! Tha:” Insha Allahu, vitin e ardhshëm, nëse kemi jetë do të agjëroj edhe të nëntën e këtij muaji (muharremit). Vitin që erdhi i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ndërroi jetë.” Transmeton Muslimi nga Ibn Abasi. 

“Agjëronte të dhjetën dhe deshi të agjëronte të nëntën, mirëpo vdiq atë vit” ( Fethul Bari vëll. IV, f.288)

“Nuk konsiderohet kjo ditë si ditë feste, sepse është përngjasim me çifutët”.Ibn Rexhebi

Gabime që ndodhin ditën e Ashuras

– Veçimi i kësaj dite me ushqime të caktuara; hallvë, ashure, etj.

– Veçimi i kësaj dite me dhikër, dua të caktuar.

– Kryerja e ndonjë lloj agjërimi jo si muslimanët.

– Konsiderimi i kësaj dite si ditë feste.

– Larja apo lyerja me erë të mirë për hirë të kësaj dite.

– Dëfrimi, argëtimi i vetes apo i familjes me rastin e kësaj dite.

– Konsiderimi i kësaj dite si ditë zije, fatkeqësie siç bëjnë disa grupe të humbura. 

Allahu i Madhëruar e di më së miri.

 Përgatiti: Ahmed Kalaja

(Visited 44 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT