E PËRKUJTIMIN TËND NE T’A NGRITËM LART


Qielli është i zymtë. Sikur dielli të mos ishte aty. Edhe retë janë nxirë. Ndoshta nga pluhuri, që era e fortë ka ngritur. Sikur me të, dëshiron që të sfidojë edhe qiellin, ose të mbulojë me të diellin. Retë e mbushura, presin nga çasti në çast të derdhen.  Të derdhen mbi tokë, për t’i dhuruar asaj jetë, për t’i dhënë asaj gjallëri e për t’ua kthyer buzëqeshjen luleve, ashtu siç edhe ndodh zakonisht në pranverë. Aty këtu të trembur, duken disa zogj, që nxitimthi e të hutuar kërkojnë një vend të sigurtë për t’u futur e strehuar. Nën qiellin gri e përballë kësaj stuhie, cicërimat dhe këngët e tyre nuk ngjallin më asnjë emocion për erërat e forta, që i përplasin ata pa mëshirë sa andej këndej, nëpër horizonte. Madje edhe pemët, me rrënjët e tyre të thella, nuk mbeten pa u lëkundur përballë kësaj stuhie, që me çmendurinë e saj, sikur edhe ato dëshiron t’i shkulë me rrënjë prej tokës së tyre. Vetëm gurët i shoh të rrinë të pashqetësuar, si të ishin gurë. Sikur përreth tyre nuk po ndodh asgjë. E mbase vetëm këtyre era s’ka çfarë t’u bëjë, pasi ata nuk kanë jetë e janë thjeshtë të vdekur. A thua se mllefin e saj, ajo e ka me çdo gjë të gjallë, përveç gurëve.

Për një moment, kur sapo fillova të mendoja se gjithçka përreth meje ishte pushtuar nga ushtimat dhe gjëmimet e stuhisë, nga mesi i saj nisën të më vinin disa fjalë. Fjalë që po bëheshin akoma edhe më të qarta me përqëndrimin tim. A thua vallë çfarë ishin?!

Ishin fjalët e ezanit.

Allahu Ekber –Allahu është më i Madhi.

Esh’hedu en la ilahe il-Allah – Dëshmoj se nuk e meriton adhurimin askush tjetër përveç Allahut. Esh-hedu enne Muhammede Rasulullah – Dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Allahut…

U mahnita! E për një moment, sikur ushtimet e erës dhe stuhisë nuk ekzistonin.

Sa fjalë të mëdha! Sa fjalë të forta! Edhe në një ditë me mot të tillë, sa bukur tingëllojnë! E ku ka erë, stuhi e ciklon që, sado të zhurmshme të jenë, të mos i sfidojnë këto fjalë.

– Allahu Ekber – Allahu është më i Madhi. E a mund të ketë?! A mund të ketë diçka më të Madh se Atë që e krijoi gjithçka, dhe se gjithçka e ka nën kontrollin e Vet?! Përfshirë këtu edhe vetë erën. Thashë vërtetë Allahu Ekber. Vetëm Atë duhet t’a madhërojnë zemrat e duhet t’a lartësojnë shpirtrat, pasi çdo gjë tjetër është thjeshtë një erë që bën vetëm zhurmë boshe, duke përplasur sa andej këndej ca kanaçe a shishe plastike nëpër rrugë, e herë-herë duke bërë zhurmë me një teneqe, në përpjekje që t’a shkulë, nga çatia e ndonjë barakeje të vjetër.

– La ilahe il-Allah – Nuk e meriton adhurimin askush përveç Allahut, tingëllonte aq fuqishëm saqë çdo zhurmë përreth u kthye në jehonën e saj. A thua se fjalët rridhnin pas njëra-tjetrës të shpjegonin njëra-tjetrën. A thua vallë a do mund të kishte dikë tjetër, që do mund t’a meritonte adhurimin, bindjen, nënshtrimin, dashurinë, respektin, shpresën, dhe lutjen përveç Atij që gjithçka Ai e solli në ekzistencë dhe e përsosi?! I dhuroi çdo dhunti, e i dha instikt e intuitë?! Vuri rregull dhe disiplinë, në qiej e në tokë? Përveç njeriut, të cilit ia dha mundësinë që t’a bëjë zgjedhjen e tij në kokë. Prandaj edhe unë dëshmova La ilahe il-Allah me bindje të plotë, pasi gjithçka tjetër është thjeshtë një përpjekje e kotë.

– Esh’hedu enne Muhammede Rasulullah – Dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Allahut.  Dëshmi që i dha kuptim gjithçkaje, e që ishte mishërim i jetës, i udhëzimit, i mëshirës, i suksesit, i arritjes, i madhështisë, e njëkohësisht edhe i thjeshtësisë, brishtësisë, përuljes, adhurimit dhe luftës me vetveten, duke kaluar kështu edhe kufinjt kohorë e hapsinorë, për të sunduar kështu botët.

Sa lart t’a ngriti emrin Allahu o i Dërguar  – Paqja dhe bekimet e Allahut më të përzemërta qofshin mbi ty, e qofsh i bekuar – ! Dhe sa emër të bukur të zgjodhi, Muhammed – Falenderues, e t’a bashkangjiti atë fill pas Emrit të Vet. Ti ishe udhëzimi i dërguar prej Tij si mëshirë, ashtu siç është drita për ata që udhëtojnë në errësirë. Ti ishe shpresa që solle buzëqeshjen në fytyrat e jetimëve e të vobektëve. I dhe kuptim jetës së tyre duke i bërë të kuptojnë se përse janë krijuar. Si të jetojnë e të jenë të dobishëm. Vetëm për të fituar Kënaqësinë e Allahut të Madhërishëm. U dërgove për mbarë njerëzimin, të bardhë e të zinj, pa e bërë në mes tyre aspak dallimin, përveçse në devotshmëri. Ti ishe mirësi e mishëruar në njeri, që nuk jetonte për veten e tij, por për çdo jetim, të robëruar, të dobët, grua, plak a fëmijë. Madje edhe ndaj kafshëve, shpendëve e edhe ndaj pemëve.

Sa madhështor të tregon arritja e të mbjellurit të besimit dhe vetbesimit në zemra, duke krijuar kështu në histori kolosë dhe emra. Emra që i nxirrnin robërit nga robëria e njerëzimit, duke i bërë krenarë me adhurimin e të Gjithmëshirshmit. Që i nxirrnin nga ngushtësia e kësaj bote, për në gjerësinë shpirtërore. Nga vuajtjet e shpirtngushtësisë, për në gjerësinë e dashurisë së Zotit të gjithësisë.

Sa të bukura ishin ato fjalë, që nga goja jote patën dalë, e që ne sot i kujtojmë me mallë, pasi mes nesh po i shohim kaq rrallë : – “Zemrat ngurtësohen, e përmendja e Allahut i ringjallë”.

E për këtë, ne sot jemi dëshmitarë, kur shohim se si zemrat tona janë vyshkur e na janë tharë, aq sa pak po ndikohen nga Fjalët e Tij, i Cili e bëri ndjekjen tënde si ndjekjen e Tij kur tha: “Kush e ndjek të Dërguarin, vetëmse ka ndjekur të Madhin Allah.”

E si mos të të ndjek ty kur edhe Vetë Allahu dërgon bekimet e Tij mbi ty: “Vërtetë që Allahu dhe Melaiket e Tij dërgojnë bekime mbi Profetin. O ju që besoni dërgoni edhe ju bekimet tuaja mbi të dhe përshëndeteni me selam.”

E si të mos e bekoj atë që e ka bekuar Allahu duke e bërë atë shembull tonin referues duke thënë: “Vërtetë që në të Dërguarin e Allahut gjenë shembull të mirë ai që beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit”

Po, për Zotin ai është shembull i përkryer edhe në zgjidhjen e mospajtimeve tona. “Pasha Allahun ata nuk do të besojnë derisa të të marrin ty (o Muhammed) si gjykatës mes tyre…”

E a mund të ketë gjykim dhe udhëzim më të mirë se ajo fe që ka sjellë Allahu nëpërmjet të Dërguarit të Vet Muhammed, për të na shpëtuar e vënë në rrugë të drejtë, si në këtë edhe në atë Jetë?! “E kush kërkon fe tjetër përveç Islamit, ajo nuk do t’i pranohet, e në Ahiret ai do të jetë prej të humburve.”

Sa të madhërishëm i bëre të ndjehen ata poetë e letrarë që emrin tënd në vargjet e tyre e vinin si margaritarë. Në zemrat e besimtarëve dhe shpirtrat e tyre u bëre kandil i ndriçimit, që i ndriçon deri në Ditën e Gjykimit, duke i ndriçuar e pastruar ata thellë në brendësi, përveç atij që nuk të ndjeu në zemrën e tij. Kandil që ndriçon me dritën e dritës, ashtu siç ndriçon dielli mu në mes të ditës. E ai që nuk e besoi këtë vërtetësi, vetëmse dëshmoi ndaj vetes për verbëri. E madje disa, deri atje shkuan sa edhe…

T’u kundërvunë, o i Dërguar, dhe bota heshti

Thanë ësht’ e drejtë e fjalës, e foli kush deshi

E bënë, pasi poshtërsitë e tyre u kundërmojnë

ndërsa aromë e moralit tënd i bënte t’a dallojnë!

Të fyen, o i Dërguari i Zotit me lloj-lloj epiteti

nga mllefi, inati e smira, për mirësitë që i ke ti

U munduan të të shëmtojnë në sytë njerëzore

Por, veç sa treguan të vërtetën e tyre mizore!

Të përshkruan me ato që ti kurrë nuk i kishe

e i shtrembëruan të vërtetat e tua me shpifje

Menduan, se kjo do ua mbulonte poshtërsitë

që ata bëjnë, fshehtazi e haptazi, natë e ditë!

Edhe sa ishe gjallë, të tillë njerëz t’sulmonin

e sot ne, dhimbjen tënde, si do t’a kuptonim

Erdhe në këtë botë, t’i thuash t’keqes e keqe

e ajo nuk reshti së sulmuari derisa e ndreqe

E ata, që dje të sulmuan, kokë ulur pranuan

se sa larg mirësisë tënde në humbje shkuan

E këta që sot, që duke vjellë vrerë, sulmojnë

N’mos nesër Ditën e Gjykimit do e kuptojnë.

Ti i mësove botës se ç’është drejtësia, ç’është mirësia dhe ç’është e vërteta. Por kur vdes zemra, vdes mëshira. E kur vdes mendja, vdes urtësia. E me nxirjen e shpirtit, merr fund gjithçka. Megjithatë ti përsëri je për ta, si hëna mbi qiellë, ku reflektimi yt mbi pellg, nuk të zbret ty nga atje ku je. E sado që të përpiqen për këtë ata që sulmojnë me shpifje e trillime, ti mbetesh mbi ta, duke i lënë ata në pellgun e tyre.

Edhe pse sot, erërat kanë ngritur shumë pluhur dhe stuhitë kanë sjellë shumë mjegull, ku më i miri është ai që qëndron ulur, e rrëmuja ka prishur çdo rregull, ti mbetesh për të gjithë më i miri shembull. E si të mos jesh, kur…

Ti je agim që u largon errësirën netëve,

e je diellë, që u shkrinë akujt zemrave.

Ti je shiu që ringjall një tokë të djegur,

e si shpirti që i jep jetë trupit të vdekur.

Prandaj, edhe unë i bindur plotësisht dëshmova, Muhammedu Rasulullah, aq sa vendin e tij në zemrën time nuk mund t’a zëvendësojë askush nga krijesat e tjera.

Ah të kisha qenë në vendin tënd e ti në vendin tim, kur goditja e popullit tënd preku fytyrën tënde të ndershme, e gjaku yt rridhte për ta, e ti thoje: “Si mund t’a falë Zoti një popull që e godet Pejgamberin e vet i cili po i thërret për në shpëtim?! O Zot fale popullin tim, se ata nuk dijnë se ç’po bëjnë.” E kur Allahu të lartësoi mbi ta, e ti u the: “Idh’hebu entumu tulaka- Shkoni, se jeni të lirë.” E kështu Allahu të ngriti e të bëri për mbarë botët mëshirë. Aq sa shpeshherë harroje edhe veten dhe kohën për të cilën kishe përgjegjësi, dhe qaje për ndjekësit e tu nga malli, duke thënë  për ta “vëllezërit e mi”.

Dhe se pikërisht kjo është ajo që na mungon sot…

pasi:

Sot na dhemb shpirti jo barku

Sot bota s’po vuan për ushqim

Por që ne të ndajmë sëbashku

Pak dhimbje dhe pak trishtim

Eh…me sa pak, arrite të bëje kaq shumë, e ne me sa shumë nuk po arrijmë të bëjme as pak. Ndaj çdo gjëje të gjallë, mirësia jote të lë pa fjalë. Pasi erdhe për të rregulluar atë që ka prishur e po prishë çdo stuhi. Për të rregulluar e përmirësuar, ashtu siç ti di, me atë butësi, thjeshtësi, e atë hirësi. Prandaj, tani le të vijë çfardolloj stuhije se veç do na shtojë ndaj emrit tënd ndjenja nostalgjie, e aq më tepër në zemrat tona do zësh vend, vend që nuk zëvendësohet me askënd, pasi edhe Allahu e ka thënë hak: “Ue rafa’na leke dhikrak – E përkujtimin tënd, Ne t’a ngritëm lart”

Bashkim Selmani​

(Visited 53 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT