Nëna e besimtarëve. Khadixhe e bija e Khuvejlidit.


Nga t’ia filloj për ty, o zonjë bujare. Nga t’ia nis o nëna ime, ndërkohë që mirësia jote është tejet pa fund. Jeta jote që ditën e parë që njohe profetin tonë ka qënë e begatë.

Të flasësh për ty o nëna ime, është si të fluturosh në një horizont të hapur, dhe të zhytesh në një thellësi pa fund.

Historia nuk ka njohur një grua me vlera si ty! Ti je simboli i grave të tjera në shtëpinë e profetit tonë, je e pastërta të cilën e begatoi Allahu.

Vallë, a do të na lejosh që të kalojmë disa momente me historinë tëndë? Sa ëmbël që është kur e kalon kohën duke dëgjuar për nënën e besimtarëve Khadixhen bijën e Khuuejlidit, gruan e të dërguarit tonë, dhuruesen e pastër të pasardhësve të tij, zonjën e të gjitha grave të kohës së saj dhe grave të muslimanëve mbarë.

Khadixhja dhe freskia e të shkuarës së saj:

Ashtu si gjithë gratë e tjera kurejshe, edhe ajo shkonte shpesh herë për të bërë tavaf në Kabe dhe i lutej Allahut që ta begatonte në tregtinë e saj dhe të ishte gjithmonë e drejtë në arsyetim.

Ajo ishte një person, besimi i të cilës ishte i ndërtuar nga mbetjet e fesë së Ibrahimit alejhi selam. Shpesh herë e vizitonte djalin e xhaxhait të saj Uarrakatu bin Neufel i cili ishte adhurues dhe praktikant i asaj që kishte mbetur e pa devijuar nga feja e krishtere, pra ai nuk adhuronte idhujt sikur kurejshët. Ajo bisedonte shpesh me të.

Ajo kishte një tregti të begatë, porse lumturia e saj në jetën bashkëshortore u trondit dhe u shemb disa herë. Bashkëshorti i parë i vdes, ndërsa i dyti e divorcon dhe pa i mbushur njëzet e pesë vjeçe mbaron kjo pjesë e vështirë e jetës së saj duke groposur dhe harruar në të, të shkuarën e saj dhe çdo kujtim.

Ajo ishte një grua e lartë dhe e respektuar në mesin e kurejshëve,aq sa e quajtën e Pastra. Jeta e saj nuk ishte si gratë e tjera, ajo fliste me njerzit dhe interesohej për këtë botë, për të kaluarën të tashmen dhe çfarë mund të ketë pas saj.

Sikurse njihet edhe nga historianwt, arabët ndërmerrnin udhëtime për tregëti dy herë në vit, në verë dhe dimër. Ata dërgonin karvanet e tyre në Sham dhe Jemen. Kjo ishte mënyra e tyre e të jetuarit. Ndër këto karvane tregtie, ishte dhe karvani i Khadixhes me ekipin që ajo zgjidhte gjithmonë. Ky ishte një problem për Khadixhen, sepse nuk ishte dhe aq e lehtë të gjeje një njeri të sinqertë që të tregtojë për ty.

Ajo kishte dëgjuar për Muhamedin të cilin kurejshët e thërrisnin i Sinqerti i Besueshmi, ndaj dhe një vit prej viteve dërgoi një prej shërbëtorëve të saj tek ebu Talibi duke i kërkuar Muhamedin për t’i udhëhequr karvanin e saj.

Siç dihet familja e Ebu Talibit ishte e varfër, ndaj dhe ai pranoi dhe e lejoi nipin e tij. Në udhëtim me Muhamedin do të ishte dhe një shërbëtor i Khadixhes i cili ishte porsitur për ta vëzhguar dhe ndihmuar atë në tregtinë e tij, ai quhej Mejsera. Gjatë kohës që kaluan në Sham ndodhën shumë ngjarje të çuditshme, dhe vlen të përmendim prej tyre njërën, duke ditur se të gjitha këto ngjarje nw fund tw udhwtimit do t’i tregoheshin Khadixhes.

Gjatë udhëtimit tregtar, një ditë profeti alejhi selam ishte ulur poshtë një peme dhe aty pranë jetonte një prift i cili e pyeti Mejseren se kush është ky burrë? Mejsera u përgjigjë duke i thënë është një burrë nga vendi Kabes. Prifti i tha se tek ajo pemë nuk është ulur askush tjetër përveç profetëve.

Kur u kthyen në Meke, përveç fitimit të dy fishtë që mori Khadixhja, dëgjoi edhe fjalët e mira të shërbëtrit të saj për Muhamedin alejhi selam. Mbas kësaj ngjarjeje filluan mendime të ndryshme të qarkullonin në kokën e Khadixhes. Të gjthë burrat e Mekës do të dëshironin të lidhnin kurorë me të sapo tu jepej mundësia, sepse përveç pasurisë, ajo ishte një grua e respektuar me karakter të lartë, e zgjuar, e mirë, e bukur, dhe bujare.

Ndonjëherë duhet që të nxisë dikush për të ndërmarë një vendim ose për të shprehur një ndjesi të brendëshme. Khadixhja e kishte një shoqe që e gacmonte dhe e kuptonte kur atë e shqetësonte diçka.

Nefisa e mbështeti Khadixhen rreth mendimit që kishte dhe e nxiti të shkonte te Muhamedi alejhi selam për të parë mendimin e tij. Nefisa shkon te Profeti dhe i thotë: o Muhamed po përse nuk martohesh? Unë nuk posedoj pasuri për tu martuar i thotë ai, duke nënkuptuar se është i varfër. Nefisa vazhdon duke i thënë: po të jetë një person që nuk i nevoiten këto gjëra, por një burrë i denjë dhe i kujdesshëm? E kush është kjo i përgjigjet ai i habitur! Khadixhja e bija e Khuuejlidit i thotë ajo, prandaj shko merre xhaxhain tënd dhe kërkoje dorën e saj.

Martesa e tyre realizohet në prani të afërmëve të Muhamedit alejhi selam dhe të afërmëve të saj. Kështu lumturia rrahu krahët në shtëpin e Khadixhes Allahu qoftë i kënaqur me të. E Pastra Khadixhe gjeti të Sinqertin Muhamed selallahu alejhi ue selem, bashkëshortin më të mirë, i butë në sjellje, i dashur me çdo njeri e çdo gjë të gjallë. Morali i tij buronte që nga origjina e tij, shikimi i tij ishte i njëjtë si trimëria që ai kishte, trimërinë të ngjashme me bujarinë e tij, dhe cilësi të shumta e të pafundme që i posedonte Profeti ynë selalllahu alejhi ue selem.

Khadixhja e deshi bashkësrtin e saj me gjithë dashurinë që zotronte dhe nuk kurseu gjë për të dhe dita ditës i shtohej bindja se ai është njeriu më i drejtë në botë.

Dashuria e saj nuk ishte vetëm për burrin e saj por dhe për të afërmit e tij. Ajo i ndihmonte ata në nevojat e tyre në sajë të dashurisë që kishte për profetin selallahu alejhi ue selem. Ajo bëri të mundur të ushqente familjen e saj me gjithë ngjyrat e mëshirës, butësisë dhe dashurisë. Personat që jetonin në prehrin e saj, lidheshin me të, sikurse lidhet dikush me dashurinë e nënës së tij dhe ndienin se ajo ishte nëna që i kishte lindur dhe rritur ata. Prej tyre ishin Aliu, djali i xhaxhit të profetit selallahu alejhi ue selem si dhe Zejd bin Harith, i cili ka një histori jashtëzakonsht të bukur (mund ta përmendësh historin e tij vet Rudi). Zejdi ishte skllav i Khadixhes të cilin ja kishte dhuruar djali i xhaxhait të saj. Profeti selallahu alejhi ue selem e deshi shumë Zejdin dhe ajo ia dhuroi atij. E shumë të tjerë si këta u rritën me kujdesje në shtëpin e saj.

Ajo i dhuroi gjashtë fëmijë Profetit alejhi selam, katër vajza dhe dy djem, por dëshira e Allahut ishte që dy djemtë të mos i rronin. Kjo ndodhi në një kohë, kur kurejshët ishin shumë të lidhur me djemtë e tyre dhe i jepnin përparësi më shumë se vajzave. Ata të dy si çift, ishin vërtet një shembull për besimtarët.

-E Pastra Khadixhe dhe shenjat e para të shfaqjes së profetësisë:

Khadixhja ishte një bashkëshorte besnike në natyrshmërinë e saj, njeriu më i ditur për pozitën e Muhamedit alejhi selam, dhe më e informuara për vendin e lartë të tij tek Allahu Subhane ue Teala.

Siç e dimë, para shpalljes, profeti ynë selallahu alejhi ue selem, ka patur disa shenja që tregonin dhe e përgatitën atë për këtë mision. Ndër to: ëndërrat e qarta dhe vetmia.  Atij filloi t’i bëhej e dashur vetmia dhe veçimi nga njerzit me ditë të tëra. Kjo gjë e ngushtonte shumë Khadixhen, e lëndonte dhe njëkohësisht e shqetësonte. Por ajo kurrë nuk e pengoi, as e qortoi. Mendoni pak në gratë e sotme, ose më mirë secila të mendoj veten e saj: nëse bashkëshorti do të dëshironte të rrinte vetëm, pa na dhënë arsye, ose qoftë edhe me arsye; por për disa orë ama, se me ditë zbëhet fjalë, sepse nuk dihet se ç’mund të ndodhë? A do ta gjenim ndonjërën midis nesh, që nuk do e llogariste burrin e saj? Apo nuk do i ankohej e qahej? Ndërsa nëna jonë dhe e besimtarëve Allahu qoftë i kënaqur prej saj, vetë ia bënte gati ushqimin, ujin e çdo gjë tjetër që i nevoitej. Nuk mjafton vetëm kjo, porse e shoqëronte me sy derisa nuk mund ta shihte më, dhe ndonjëherë dërgonte dikë që ta shikonte si ishte, por pa e shqetësuar në vetminë e tij. Allahu qoftë i kënaqur me nënën tonë.

Momentin e parë të shpalljes, të gjitha e kemi lexuar dhe dëgjuar më shumë se një herë, kur vjen meleku Xhibril dhe e shtrëngon e i thotë Profetit lexo, lexo me emrin e Zotit tënd, dhe se si profeti sellahu alejhi ue selem kthehet në shtëpi duke u dridhur i tëri, e thotë: më mbuloni më mbuloni dhe mbasi qetësohet, i tregon Khadixhes e i thotw: eh o Khadixhe, u frikësova për veten time.

Ky është një moment i shënuar dhe i regjistruar mirë, që tregon qëndrimin e Khadixhes dhe pjekuriën e vendosmërinë e që e dallonte nga gratë e tjera.

Ajo i thotë profetit: Kurrë! Për atë Zot, nuk të humb ty Allahu asnjëherë, sepse ti kujdesesh për lidhjet me fisin tënd, flet gjithmonë të vërtetën, ndihmon nevojtarët, shpenzon për të varfërit, mirëprêt miqtë, ndihmon për zbardhjen e të vërtetës, dhe e ruan amanetin.

Sa fjalë domethënëse dhe qetësuese, dikush dhe mund të veprojë ndryshe, p.sh mund të thoshte: po ç’të duhet ty që rri vetëm, sa herë të kam thënë mos shko etj. Porse ajo që ta qetësonte akoma më shumë, jepte argument pas argumenti, sepse besonte thellë, se bashkëshorti i saj nuk ishte si të tjerët dhe se dicka do të ndodhte me të. E çoi të vizitonte djalin e xhaxhait të saj i cili ishte i krishterë (në krishterimin e pastërt). Të gjithë e dimë se ai e lajmëroi duke i thënë: ai që të shtrëngoi, ishte meleku që i ka ardhur dhe Musait alejhi selam, ti do të jeshë i dërguar dhe Uarraka shpresonte që të ishte pranë profetit alejhi selam, kur njerzit ta dëbonin e kundërshtonin, por ai mbas kësaj vdes, sepse ishte shumë plakë, saqë dhe shikimin e kishte humbur.

Kështu nëna jonë Khadixhja Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ishte fladi i parë që regjistohet në mesazhin profetik, një fllad i freskët dhe i rrallë që nuk përsëritet më. Padyshim kjo është mirësi e Allahut, që nuk i jepet kujdo prej njerëzve dhe mëshirë me të cilën Allahu, prek vetëm se kë do dhe Allahu është Poseduesi i mirësive, më Madhështori.

-E Pastra ishte e para që përqafoi islamin:

Dijetarët janë të një mendimi unanim se Khadixhja është njeriu i parë nga të gjithë njerëzit që besoi në Allahun dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij.

Ibën Is`haku Allahu e mëshiroftë thotë: Khadixhja ishte e para e cila besoi Allahun dhe të dërguarin e Tij, dhe e ndihmoi profetin në çështjen e tij. Ky ishte një lehtësim prej Allahut për të dërguarin, sepse çdo gjë që dëgjonte profeti dhe e mërziste atë prej urrejtjes e përgënjeshtrimit të njerëzve, do të gjente çlirim dhe lehtësim vetëm tek Khadixhja; do të gjente tek ajo vetëm se besim dhe do t’ia lehtësonte gjithmonë punët me njerëzit.

Pas Khadixhes sigurisht që besoi Aliu, Zejdi dhe normalisht vajzat e tij Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata. Islami i kësaj familjeje të nderuar ishte si shkak i dy prindërve shembullor dhe imanit të pastër natyror që mbizotëronte shtëpinë e tyre, dhe të qënurit dëshmitarë që në fillimet e shpalljes profetike. Ata dëgjuan ajetet e para të këndoheshin në këtë tokë dhe pikërisht në shtëpin e Khadixhes të Pastrës. Urtësia zbriste në mesin e tyre, imagjinojini këto momente madhështore të veçanta dhe për njerëz të veçantë.

-E Pastra Khadixhe dhe namazi i saj:

Histrianët e sirës profetike, përmendin se Allahu i Madhëruar, që në fillim të shpalljes i bëri obligim profetit sellahu alejhi ue selem dy rekate namaz. Kjo mirësi ishte dhe për Khadixhen si besimtarja e parë që egzistonte në atë kohë dhe e para që u fal me profetin alejhi selam.

-Khadixhja dhe durimi i saj ndaj dëmtimit që i bënin jobesimtarët:

Profeti selallahu alejhi ue selem, si fillim ftoi familjarët dhe të afërmit e tij për në islam, pa dyshim që dhe Khadixhja bëri të njëjtin veprim. Ajo ftoi gratë për në islam duke patur kundërshtime dhe probleme njësoj si bashkëshorti i saj fisnik. Profeti sellahu alejhi ue selem, u lexonte atyre Kuran, dhe u tregonte historitë më të bukura, disa dëgjonin me gëzim. Zemrat e tyre përjetonin një ndjesi dhe lëvizje të çuditshme. Ata ishin ndër arabët më të përzgjedhur, e dinin dhe kuptonin shumë mirë se Kurani nuk ishte i shkruajtur nga njeriu. Por krenaria e tyre e bashkuar me një xhelozi të fortë për trashëgimin e të parëve dhe baballarëve të tyre, i bënte që ta kundërshtonin mesazhin e përcjellë nga profeti, duke i bashkangjitur kësaj dhe akuzat se ai është magjistar!

Mesazhin hynor, angazhimin për të pranuar islamin dhe paqen, e luftuan burra dhe gra në Mekë. Umu Xhemilja, gruaja e xhaxhait të profetit selallahu alejhi ue selem, e luftoi fenë e Allahut me të gjitha mënyrat që ajo mundi. Përveç dëmtimeve që i shkaktonte bashkëshortit të Khadixhes, ajo detyroi dhe dy djemtë e saj që të divorconin grat e tyre të cilat ishin vajzat e profetit dhe të Khadixhes.

Allahu padyshim që ia zëvendësoi ata me më të mirë, i nxorri nga shtëpia e zjarrit (sepse Allahu për ata të dy ka zbritur një sure të plotë ku lajmëron se Ebu Lehebi dhe gruaja e tij do të jenë në xjarr përgjithmonë) për në shtëpin e dritës. Rukija do të martohej me Uthmanin radijallahu anhu. Rukija dhe Uthmani hasën probleme nga më të ndryshme, të cilat ia shkaktuan kurejshët, kështuqë ata të dy ju bashkangjitën emigrantëve të parë për në tokën e Habeshes (Abisinisë).

Khadixhja i dha lamtumirën vajzës së saj duke duruar dhe u përlotur për ndarjen me të, por ajo i kishte dhënë premtimin Allahut se do të qëndronte me të dërguarin e Tij besnik deri në frymën e saj të fundit.

Ajo shpenzoi pasurinë e saj, sakrifikoi me rehatinë e saj në rrugën e Allahut, për të qënë fjala e të vëretës më e larta. Ajo ishte e gatshme të jepte çdo gjë, derisa të ndriçonte drita e islamit dhe të ishte fjala e atyre që nuk besuan më e ulta.

Ndarja me të dashurit e zemrës, bëhet më e lehtë, kur kjo ndarje është për të arritur kënaqësinë e Allahut, sepse ajo i kishte bërë një vlerësim se, të qënurit afër me Allahun Aze ue Xhele, i Cili kishte përgatitur për të devotshmit Xhenete dhe lumenj, ishte një arsye e fortë për të qetësuar nxehtësinë e dashurisë dhe dhimbjes për të dashurit e zemrës.

Kurejshët u lodhën duke iu kundërvënë Muhamedit dhe pasuesve të tij, kështu që morën shumë vendime të rrëzikshme, ndër to ishte dhe mbledhja e tyre për ta vrarë të dërguarin tonë të pastër selallahu alejhi ue selem. Muhamedi alejhi selam nuk e zgjodhi vetë këtë rrugë, ai u përzgjodh nga Krijuesi i gjithësisë, kështuqë gjithmonë ishte në mbrojtje të Allahut dhe çdo kurth i tyre dështonte.

Jo më kotë po përmend fragmente nga jeta dhe misioni i profetit tonë të dashur. Mbas tij, ishte një grua që e mbështeste, një ministre besnike e sinqertë që ja kryente çdo detyre me përsosmëri. Ajo ishte një bashkëshorte e rrallë, e cila duronte çdo dhimbje që ndiente kur shikonte bashkëshortin e saj të shahej, ofendohej, akuzohej, dëmtohej etj.

Një ngjarje tjetër e rëndësishme që ja vlen të përmendet, është dhe bojkoti që ju bë muslimanëve dhe fisit të profetit për tre vjet. Kurejshët vendosën të mos shisnin e blinin gjë prej tyre. Ata u zotuan që të mos kishin lidhje kurore me ta e as të merrnin prej tyre. Çështja arriti deri aty, saqë dhe njerëzit e huaj që vinin nga jashtë Mekës t’i pengonin. Tre vjet skamje e mjerim. Khadixhja nuk ishte e detyruar të ishte me të bojkotuarit sepse ajo nuk është prej fisit të tij salallahu alejhi ue selem. Ajo dhe këtë herë i qëndroi pranë si mal i patundur bashkëshortit të saj. Në këtë ngjarje të historisë profetike ajo shpenzoi të gjithë pasurinë e saj, për të ushqyer muslimanët. Shpenzoi pasurinë dhe shëndetin e saj, sepse ajo doli nga ky bojkot shumë e dobësuar.

-Udhëtimi i Khadixhes për në amshim:

Khadixhja kaloi në prehërin e të dërguarit, etapat më të vështira të davetit, ishte gruaja më e përkryer për burrin e saj, që nuk gjendet si ajo në këtë botë, bashkëjetuesja më e mirë për bashkëjetuesin e saj; ia shtroi të gjitha lehtësimet për ta adhuruar ai Allahun sa më mirë. I shërbeu me shpirtin, shtëpin, llogjikën e saj. Kur erdhi shpallja, ishte e para që besoi. Hodhi poshtë çdo zakon injorant, për të ndërtuar një shoqëri besimtare.

Nëna e besimtarëve pasi doli nga bojkoti, nuk jetoi shumë, sepse trupi i saj u tha dhe u dobësua. Por vendosmëria e saj, qëndroi ashtu e fortë si gjithmonë, në syt e saj ajo shikonte gjithmonë një burrë madhështor. Një ditë Khadixhja, kuptoi thirrjen e Zotit të saj më se e kënaqur, duke qënë e përgëzuar me Xhenet tek Mbreti i mbretërve. Mbaroi jeta e saj duke filluar udhëtimin e përjetësisë, në mirësitë e pafundme dhe duke qëndruar në zemrat e besimtarëve, të cilët e deshën historinë e saj dhe e deshën nënën e tyre, gruan e profetit më të dashur Muhamedit selallahu alejhi selem. Allahu qoftë i kënaqur me nënën e besimtarëve.

 

Mirësitë dhe të vecantat e Khadixhes radijellahu anha:

Imam Dhehebiu për Khadixhen ka thënë:

“Khadixhja është nëna e besimtarëve, zonja e grave në kohën e saj, mamaja e Kasimit e bija e Khuejlidit, nënë e fëmijëve të të dërguarit selallahu alejhi ue selem, e para që besoi në të me besnikëri, është nga bonorët e Xhenetit, e lavdëronte atë profeti tek gratë e tjera duke e ekzagjeruar, saqë Aishja thoshte: nuk kam xhelozuar për asnjë grua, sa kam xhelozuar për Khadixhen, për shkak se profeti e përmendte shumë.”

Bukhariu Allahu e mëshiroftë, transemeton me zinxhir nga Ebu Hurejra radijallahu anhu i cili ka thënë: Erdhi Xhibrili alejhi selam tek profeti selallahu alejhi ue selem i cili qëndronte në shpellën Hira dhe i tha: “O i dërguar i Allahut kjo është Khadixhja, po vjen dhe me vete ka një enë me ushqim ose pije, kur të mbërrijë tek ty, përcilli asaj selam nga Zoti i saj, nga mua dhe përgëzoje me një shtëpi në Xhenet prej kallamash, në të cilën nuk ka zhurmë e as shqetësim.”

Ibën Haxheri Allahu e mëshiroftë shton dhe një pjesë të transmetimit që gjendet te Seid bin Kethirit, Khadixhja pas asaj që i transmeton profeti nga Xhibrili alejhi selam thotë: “Ai (Allahu) është Paqedhënësi dhe prej Tij vjen ajo, dhe paqja qoftë mbi Xhibrilin alejhi selam.”

Kjo është një pozitë e lartë për Khadixhen që mori përshëndetje nga Allahu, Paqedhënësi  i botërave. Allahu është Ai që ja dha këtë vend të lartë, a nuk ishte ajo e para besimtare dhe muslimane?

 

-Por, a u ndal jeta e nënës tonë Khadixhe me shpërnguljen e saj për në banesën e përjetësisë?!

Përfytërimi i saj nuk u largua kurrë nga bashkëshorti i saj selallahu alejhi ue selem, gjithashtu fëmijët dhe nipërit e saj e kujtuan. Pastaj ajo është në jetën e çdo gruaje muslimane që e beson Allahun dhe të dërguarin e Tij, dhe në ndërgjegjen e çdo muslimani që e do Allahun dhe të Dërguarin Tij.

Vlerat dhe lavdërimet nuk fitohen me para, por me ato që njeriu lë pas në botën e tij, ku gjallërohet i gjalli më kujtimin e tyre dhe ushqehen mendjet me historitë e tyre.

Aishja radijallahu anha Besnikja e bija e Besnikut, tregon një histori të bukur të cilën po e përmbledh: (kur profeti selallahu alejhi ue selem përmendte Khadixhen, nuk ndalte së lavdëruari dhe kërkuari falje për të, një ditë prej ditësh më pushtoi xhelozia dhe i thashë: Alahu ta ka zëvendësuar moshë madhen. Pashë profetin të nevrikosej dhe heshta, po thosha me veten time, ah sikur t’i largohet kjo nevrikosje, as që kam për ta zënë më me gojë. Pasi më pa profeti se si po rrija më tha: “si e the për Zotin?! Ajo më besoi mua kur më përgënjeshtruan njerzit, dhe më pranoi kur më refuzuan, prej saj u furnizova me fëmijë dhe ju ma ndaloni?!”

Profeti selallahu alejhi ue selem ka thënë: “Më e mira e grave në kohën e saj është Khadixhja bija Khuuejlidit, dhe më e mira e grave në kohën e saj është Merjem e bija e Imranit”.

Ai selallahu alejhi ue selem kur bënte kurban, një pjesë do ia dhuronte mikeshave të Kadixhes, i mirëpriste ato në shtëpinë e tij dhe bisedonte me to, kur i vinte ndonjë dhuratë veçonte dicka dhe thoshte: çojeni te filan vend se ka qënë mikeshë me Khadixhen. As zërin nuk ja kishte harruar gruas së tij. Aishja tregon se njëherë, kërkoi leje për të hyrw te profeti motra e Khadixhes, profeti e njohu nga zëri dhe u tremb, pastaj tha: ti je Hela e bija Khuuejlidit.

E vërtetë! Po, po kjo është e vërtetë, ajo ishte e vetme dhe e veçantë, të cilën nuk e pasoi dot asnjë nga banorët e shtëpisë profetike dhe bashkëshortet e tij, nga të veçantat e saj ishin, se ajo anjëherë nuk i bëri keq; nuk e nevrikosi, as e qortoi apo të largohej ndonjëherë prej tij dhe meritoi për këtë krenari dhe mirësi.

 

-Si përfundim, vazhdon nëna jonë Khadixhe të mbush dëgjimin shikimin dhe zemrën tonë.

-Ku e kemi ne shembullin e saj??  E duam atë dhe historin e saj. Qetësohemi me aromën e luleve të jetës së saj, sikur freskohemi nëpër kopështe me hije,  kur lexojmë historinë e saj, pra le të jetë për ne si një furnizim për në udhëtimin tonë të pastër, ta duam që të jemi në ditën e gjykimit me ata që kemi dashur me lejen e Allahut, dhe e lus Allahun që të na ringjallë në shoqërinë e saj dhe të profetit selallahu alejhi ue selem.

Me lejen e Allahut mbaroi përmbledhja e jetës se nënës së besimtarëve Khadixhe bint Khuuejlid, shkëputur me përmbledhje nga libri “Gratë e profetit selallahu alejhi ue selem” i autorit Salahudin Mahmud e-Seid. Nga faqja 13-60.

Falenderimi i takon Allahut i Cili na mundëson të punojmë punë të mira.

  Përktheu dhe përshtati: E Ymeraj

(Visited 52 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT