Origjina e Muhamedit salallahu alejhi ue selem dhe familjes së tij


Origjina e Resulullahut salallahu alejhi ue selem është klasifikuar në tri periudha kohore. Pjesa e parë është pranuar si e saktë nga të gjithë autorët e Sires.

Këtu përmendet prejardhja e Resulull-llahut a.s. gjer tek Adnani. Pjesa e dytë është në lidhje me brezin hyrës të Resulull-llahut a.s. nga Adnani e gjer te Ibrahimi a.s.

Aty ka edhe mospajtime mendimesh. Pjesa e tretë ka të bëj me origjinën lidhur nga Ibrahimi a.s. e gjer tek Ademi a.s. Te brezi i fundit ka të dhëna të cilave nuk mund t’u besohet me siguri të plotë.

Shkalla e parë e origjinës

Muhammed Ibën Abdullah ibën Abdul-Muttalib – i quajtur Shejbe, ibën Hashim – i quajtur Amër, – ibën Abdi Menaf – i quajtur El-Mugire, – ibën Kussaj – i quajtur Zejd, – ibën Kilab ibën Marre ibën Ka’b ibën Lu’a ibën Galib ibën Fahër – i quajtur Kurejsh, sipas tij fisi mori emrin, – Ibni Malik ibën En-Nadar – i quajtur Kajs, – ibën Ken’aneh ibën Huzejmeh ibën Mudriket – i quajtur Amir, – ibën Ilijas ibën Mudar ibën Nazzar ibën Me’ad ibën Adnan.[1]

Shkalla e dytë

Këtu llogaritet vija hyrëse duke filluar prej Adnanit, e Adnani është djali i Edd ibën Humejs ibën Selaman Ibni Avs ibën Berz ibën Kamval ibën Ebi ibën Avam ibën Nashid ibën Haza ibën Beldas ibën Judlah ibën Tabih ibën Xhahim ibën Nahish ibën Mahij ibën I’id ibën Abkar ibën Ubejde ibën ed-Du’a ibën Hemdan ibën Senber ibën Jethrebij ibën Jah; Zen ibën Jehhan ibën Eravij ibën Dishan ibën Ajser ibën Efnad ibën Ejham ibën Naksar ibën Nahas ibën Zerah ibën Semij ibën Mezzij ibën Avdat ibën Aram ibën Kajdar ibën Ismail ibën Ibrahim a.s.[2]

Shkalla e tretë

Vija hyrëse prej Ibrahimit a.s. gjer te Ademi a.s. është kjo: Ibrahimi a.s. është djali i Tarihit i cili është quajtur Azer – ibën Nahur ibën Sar’u (ose Sarug) ibën Rauv ibën Lamik ibën Metuveshleh ibën Ehnuh – thonë se ky është Idrisi a.s. – ibën Jerid ibën Mehlail ibën Kajnan ibën Anusheh ibën Shejth ibën Adem a.s.[3]

Familja e Pejgamberit a.s.

Familja e Resulull-llahut a.s. është e njohur me emrin Hashimitët sipas gjyshit të tij Hashim ibën Abdi Menafit. Andaj do të themi diç për familjen Hashimit.

I. Hashimi:

Ky e ka trashëguar mbikëqyrjen rreth furnizimit të haxhilerëve me ujë dhe ushqim nga Beni Abdi Menafi. Më parë përmendëm se Abdi Menafi dhe Abi-d-Dari janë pajtuar dhe i kanë ndarë pozitat mes veti. Hashimi ka qenë Mekas i dalluar dhe i pari i cili u ka siguruar ushqim haxhilerëve (përshesh – bukë të grimcuar). Emri i tij ka qenë Amër, kurse Hashim ofiq (llagap) të cilin e ka fituar për shkak të thërrmimit të bukës për përshesh. Ai, po ashtu është i pari i cili ka caktuar dhe zba­tuar praktikisht udhëtimin dimër – verë të kurejshitëve për tregti. Për mirësinë dhe mendjemprehtësinë e tij flasin edhe shumë poetë parais­lamik.

Disa ngjarje interesante janë të lidhura me Hashimin.

Ai tregon se një herë niset në udhëtim tregtar në Sham. Kur arrinë në Jethrib (Medinë) martohet me Selmën, vajzën e njëfarë Amrit nga familja Beni Adijj Nexhar dhe ngel aty për të jetuar tek ajo. Pas një kohe përsëri niset për në Sham, e ajo mbetet shtatzënë. Hashimi vdes në Gazzë, qytet në Palestinë, e Selma lind Abdul-Mutta­libin në vitin 497. të cilit ia dha emrin i Thinjuri, për shkak ballukës së thinjur me të cilën u lind.[4]

Selma kujdesej për fëmijën në shtëpinë e babait të saj, në Medinë. Për të nuk dinte kurrgjë familja e Hashimit nga Meka. Hashimi ka pa­sur katër djem dhe pesë vajza. Djemtë quheshin: Esed, Ebu Sajfi, Nad­leh dhe Abdul -Muttalib, kurse vajzat: Esh-Shifa, Halide, Daife, Rukaja dhe Xhennete.[5]

II. Abdul Muttalibi

Thamë se furnizimi i haxhilerëve me ujë dhe me ushqim nga Hashimi ka kaluar te vëllai i tij El-Muttalib ibën Abdi Menafi, i cili gëzonte auto­ritet të madh, ishte i nderuar dhe i famshëm ndër fisin e vet. Kurejshitët e quanin El-Fejjad-bujar. Kur Shejbe (më vonë Abdul-Muttalibi) bëhet dja­losh, apo diç më i moçëm, për të dëgjon xhaxhai i tij El-Muttalib ibën Menafi dhe shkon në Jethrib për ta kërkuar. Kur e gjenë dhe e sheh fillon të qajë, e përqafon dhe e hipë në devenë e vet. Djaloshi zbret dhe nuk donë të shkoj me të pa lejen e nënës së vet. El-Muttalibi e pyet por ajo refuzon t’ia jap djalin xhaxhait. Atëherë El-Muttalibi i thotë asaj:

“Ai do të shkonte në çifligun e babait të vet, në tempullin e Zotit”. Andaj nëna e lejon të shkojë. El-Muttalibi hynë në Mekë kaluar mbi deve e prapa tij djaloshi. Njerëzit tregonin me gisht kah djaloshi dhe thonin:

“Ky është rob i Abd-Muttalibit.” El-Muttalibi ju thotë: “Duhet të keni turp, ky është djali i vëllait tim – Hashimit.” Djaloshi jetoi tek xhaxhai i vet derisa nuk u bë më i pjekur. Dikur, përafërsisht në atë kohë El-Muttalibi vdes në Redman, vend ky në Jemen.

Të gjitha punët e tij i trashëgon Abdul-Muttalibi. E tërë kushëriria dhe të gjithë pjesëtarët e fisit filluan ta duan, sepse ishte bujar, i nder­shëm, i drejtë dhe i aftë në kryerjen e punëve. Ai fisit të vet ia rriti edhe më tepër famën.[6]

Pas vdekjes së El-Muttalibit në Jemen, Neufeli me dhunë uzurpon oborrin e Abdul-Muttalibit. Ai kërkon ndihmë nga kurejshitët, kurse ata i përgjigjen: “Nuk dëshirojmë të ndërhyjmë mes teje dhe Neufelit, sepse ai është xhaxhai yt”. Atëherë Abdul-Muttalibi e thërret dajën e vet nga Jethribi për ta ndihmuar. Daja i tij, Ebu Sead ibën Adijj, niset për në Mekë me tetëdhjetë kalorës. Në hyrje të Mekës, e pret Abdul-Mutta­libi dhe i thotë: “Eja të shkojmë në shtëpi, o daja im.” “Jo, për Zotin, derisa nuk takohem me Neufelin”, dhe nisen për në shtëpinë e Neufelit. Ndërsa ai rrinte afër Ka’bes me disa kurejshitë dinjitoz. Kur e pa Ebu Seadi, nxori shpatën dhe briti: “Për Zotin dhe për Ka’ben, nëse nuk ia kthen tokën Abdul-Muttalibit, do të vras me këtë shpatë.” Neufeli iu përgjigj: “Që, tani ia ktheva, e tij është”, që e vërtetuan edhe të prani­shmit. Ebu Seadi bujti tek Abdul-Muttalibi tri netë, pastaj e bëri umren dhe u kthye në Medinë.

Pas kësaj ngjarjeje Neufel b. Abdi Shems b. Abdi Menafi, lidhi ma­rrëveshje me Benu Hashimitët. Kur fisi Huza’ah e sheh se çfarë ndihme fitoi Abdul-Muttalibi prej dajës së vet Ebu Seadit nga fisi En-Nexhar, thanë:

“Ashtu siç e keni lindur ju edhe ne e kemi lindur (sepse nëna e Abdul-Muttalibit është nga fisi Huza’ah), andaj ne jemi më tepër të nevojshëm se ju t’i ndihmojmë atij.”

Prandaj edhe ata shkuan në Mekë, hynë në Këshill dhe lidhën marrëveshje më Benu Hashimitët, e pastaj edhe me Benu Abdi Shemsët – fisin e Neufelit.

Kjo ndërlidhje mes fiseve të Medinës dhe Mekës, e forcuar kështu, do të jetë një nga faktorët e rëndësishëm për çlirimin e Mekës, që do të mësojmë më vonë.[7] Është me rëndësi t’i përmendim dy punë të vlefshme që i ka bërë Abdul-Muttalibi për Ka’ben:

Hapja e pusit Zem-zem dhe mbrojtja e Ka’bes në luftën me ele­fan­tin.[8]

I. Abdul-Muttalibit i është urdhëruar në ëndërr që te hapë pusin Zem -zem, dhe iu është dëftuar vendi ku duhet gropuar. Gjatë gropimit hasi në sende të cilat i kishin fshehur Xherahimët kur patën ikur nga Meka, gjeti shpata, stoli dhe dy kaproj nga ari. Me shpata e stolisi por­tën e Ka’bes, në to i vendosi (gozhdoi) kaprojtë e artë, e muroi pusin dhe hapësirën për rreth pusit për haxhilerët. Kur u zbulua pusi Zem-zem, kurejshitët u grindën me Abdul-Muttalibin duke thënë: “Ne duam të marrim pjesë me ty”, e ky u përgjigj:

“Kurrsesi, unë jam i zgjedhur për këtë punë”. Ata nuk e lënë të qetë derisa e nxorën para gjyqi tek magjistari nga Beni Seadët. Ende pa u kthyer në shtëpi këta gjatë rrugës hasën në shenja të cilat paralajmë­ronin se Abdul-Muttalibi kishte të drejtë. Atëherë Abdul-Muttalibi u betua se: Në qoftë se Zoti ia dhuron dhjetë djem e ai jeton gjersa ata rriten e t’i ndihmojnë, do ta flijoj njërin prej atyre para Ka’bes.

II. Mëkëmbësi i sundimtarit të Abisinisë në Jemen, Ebrehe, duke parë se arabët pelegrinojnë Ka’ben, e ndërton një kishë të madhe në San’ae. Dëshironte që haxhilerët të kthehen në San’ae, në vend të Mekës.

Kur njëri nga fisi Ken’aneh dëgjon për këtë ndodhi, hyn natën në këtë kishë dhe ndyen ballinën e saj me fëlliqësirë. Kur Ebrehe dëgjon për këtë hidhërohet shumë, mbledh një ushtri prej 60.000 luftëtarësh dhe niset në Mekë për ta rrënuar Ka’ben.

Për vete zgjodhi elefantin më të madh, të cilit i hipë dhe u niset për në Mekë. Ushtria i kishte 9 ose 13 elefantë dhe kur arrinë në vendin Mugammese, ndalen të pushojnë dhe të përgatiten për të hyrë në Mekë. Kur arrinë në luginën Mehser, ndërmjet Muzdelifes dhe Minnes, elefanti ndalet dhe shtrihet. Nuk ka mundi më të ngritej për t’iu afruar Ka’bes. Thuhet se janë munduar ta ngrisin me zor por nuk kanë mundur dot, e kur e tërhiqnin në ndonjë anë tjetër ai ngritej menjëherë.

Gjersa Ebrehe dhe ushtria e tij kishin kokëçarje me elefantin, All-llahu xh.sh. dërgoi mbi ta zogjtë Eba-Bil, të cilët gjuanin mbi ushtrinë e Ebrehes copa nga balta e pjekur, dhe (All-llahu xh.sh. i bëri) ata sikurse gjethet e brejtura nga krimbat.

Zogjtë kishin pamje të çuditshme sikurse dallëndyshe të balsamo­sura. Secili nga zogjtë bartëte nga tre gurë, një në sqep kurse dy në kthetëra. Kur e qëllonte dikënd me këtë masë nuk shpëtonte dot, i shka­përderdhej trupi dhe vdiste. Nuk kanë qenë të goditur të gjithë ushtarët e Ebrehes. Disa filluan të ikin, por gjatë rrugës shumica prej tyre pësu­an, andaj u shpërndanë në të gjitha anët.

Ebrehe u ndëshkua me një sëmundje nga e cila i ranë majat e gishtërinjve. U kthye në San’a me kraharor të qarë ku vdes së shpejti.

Kurejshitët e Mekës, duke parë se Meka do të sulmohej nga një ushtri e madhe, ikën nëpër kodra. Vetëm kur kaloi rreziku ata u kthyen të sigurt në shtëpitë e tyre.[9]

Kjo ngjarje ka ndodhur në muajin muharrem, 50 ose 55 ditë para lindjes së Muhammedit a.s. që i përgjigjet fundit të shkurtit ose fillimit të marsit të vitit 571, sipas kalendarit.

Kjo ngjarje – mbrojtja e Ka’bes nga rrënimi – sigurisht ishte dhura­të e All-llahut xh.sh., që ia dhurojë Pejgamberit a.s. dhe Shtëpisë së tij – Bejtullahut, sepse nëse e shikojmë Kuddusi-Sherifin, shohim se këtë kible e kishin pushtuar armiqtë e All-llahut, jobesimtarët dhe i kishin nënshtruar myslimanët, siç ka ndodhur në vitin 587. para erës së re me Buhatanaserin, pastaj këtë e pushtojnë Romakët në vitin 70 sipas kalendarit.

Por, Ka’ben dhe kiblen në Mekë nuk ka mundur ta pushtojë askush, edhe pse banorët e Mekës ishin jobesimtarë.

Për këtë ngjarje në Mekë së shpejti patën dëgjuar asokohe jo vetëm vendet fqinje por edhe fuqitë udhëheqëse e qytetëruese të asaj kohe. abisinasit mbanin lidhje të forta me Romakët dhe me Persianët. Së shpejti pas kësaj ngjarjeje, Persianët erdhën në Jemen dhe e nënshtruan atë.

Kjo ngjarje, gjithashtu, i ka treguar botës në shenjtërinë e shtëpisë së Zotit dhe se Meka është vend të cilin All-llahu xh.sh. e ka zgjedhur si Vend të shenjtë.

Nuk është për t’u çuditur përse All-llahu xh.sh. e ka shpëtuar këtë vend nga rrënimi, kur dihet se prej këtu doli më i besueshmi El-Emin – Pejgam­beri i fundit i All-llahut xh.sh.

Abdul- Muttalibi i ka pasur dhjetë djem. Këta janë: El-Harithi, El-Gajdaku, Ez-Zubejri, Ebu Talibi, Abdullahu, Hamza, Ebu Lehebi, El-Mekumi, Saffari dhe El-Abbasi.

Në disa libra numërohen njëmbëdhjetë djem, e i njëmbëdhjeti ka qenë Kathem. Në të tjerat janë trembëdhjetë djem dhe i shtojnë edhe Abdul-Ka’bin dhe Huxhlanin, por me siguri të plotë dihet për dhjetë djem. Përveç dhjetë djemve Abdul Muttalibi ka pasur edhe gjashtë vaj­za. Këto janë: Ummul-Hakim, e quajtur El-Bejda, pastaj Berret, Atika, Safija, Erva dhe Umejma.[10]

III. Abdullahu është babai i Resulull-llahut a.s. Nëna e Abdullahut është Fatimja, vajza e Amër b. Aidh b. Umran b. Mahzum b. Jekadhe b. Merret.

Abdullahu ka qenë djali më i bukur i Abdul-Muttalibit dhe për të më i dashuri. Ky ka qenë “flijimi” i premtuar apo kurbani. Ngjarja thotë:

Kur Abdul-Muttalibit i lindin dhjetë djem, dhe kur ata u rritën, i mblodhi rreth veti dhe u tregoi për premtimin e dhënë. Ata e miratuan këtë. Ai ua shkroi emrat e tyre në shigjetëza dhe të gjitha ia dha kad­dahut – njeriut i cili hidhte shortin. Shigjeta e parë u kthyer drejtë Abdullahut. Abdul- Muttalibi e merr djalin dhe e dërgon në Ka’be për ta therur, por kurejshitët dhe dajallarët e tij, e edhe vëllai i tij Ebu Talibi, nuk lejuan ta bënte këtë. Abdul Muttalibi u tha: “Atëherë si ta përmbushi betimin tim?”

Ia mbushën mendjen që përsëri të shkonte tek shortari dhe t’i thotë që tani të hidhte shigjetëzën mes Abdullahut dhe dhjetë deveve. Nëse del te Abdullahu, le të shtojë numrin e deveve, dhe gjithnjë kështu, derisa shigjeta nuk bjerë mbi devetë që Zoti të jetë i kënaqur. Nëse bie mbi deve atëherë ato do ti therte para Ka’bes.

Dhe kur numri i deveve arriti në njëqind, vetëm atëherë shigjetëza ra prej Abdullahut mbi devetë. Abdul-Muttalibi i flijoi këto në vend të djalit. Gjer atëherë vlera e gjakut tek arabët ka qenë dhjetë deve, e pas kësaj ngjarjeje arriti në njëqind deve, që e ka vërtetuar edhe Islami.

Tregohet se Resulull-llahu a.s. ka thënë: “Unë jam i biri i dy fliji­meve” (Ismailit dhe babait të tij Abdullahut).[11]

Abdul-Muttalibi ia zgjodhi djalit të vet për grua Eminen, vajzën e Vehbi b. Abdi Menaf b. Abd Zehre b. Kulabit. Në atë kohë ajo ishte vajza më e bukur dhe më e ndershme ndër kurejshitët, edhe për kah ori­gjina e edhe për kah pozita. Babai i saj ishte kryepar i familjes Zehra, të njohur për nga prejardhja dhe nderi. Abdullahu martohet dhe me gruan e vet jeton në Mekë. Pas disa kohësh babai e dërgon në Medinë që të furnizohet me hurma, ku edhe ndërron jetë.

Disa thonë se është nisur në Sham për të bërë tregti, por në Medinë e takon një karvan të kurejshitëve dhe për shkak sëmundjes ndalet aty ku edhe vdes dhe varroset në varret Nabig El-Xhadi. Vdes në moshën njëzet e pesë vjeç, e para lindjes të djalit të tij, Muhammedit a.s.

Ky është mendim i shumë historianve.

Ka edhe sish që thonë se Abdullahu ka vdekur dy muaj pas lindjes së fëmijës.[12] Kur në Mekë arrinë lajmi për vdekjen e tij, Eminja e terrin atë me pikëllim të madh që e shpreh edhe me vargje prekëse.

E tërë pasuria që Abdullahu kishte lënë pas veti kanë qenë: pesë deve, një tufë të vogël delesh dhe robëre­shën abisinase, Berket, me ofiqin Ummu Ejmen, e cila është kujdesur për Resulull-llahun a.s.[13]


[1] Ibni Hisham: I/1, 2; Telkihu Fuhumi ehli-l-Ether, 5 dhe 6; Rahmetun li-l-Alemin: II/11-14, 52.

[2] Brezin e ka tubuar Muhammed Sulejman el-Mensur Fevri nga el-Kelbi dhe Ibën Sa’dit pas verifikimit.

[3] Ibni Hisham: I/2, 3, 4. Telkihu Fuhumi ehli-l-Ether, f. 6. përmbledhja e Sireve të Taberaniut f. 6. dhe Rahmetun li-l-Alemin II/18 (Në disa vepra emrat janë të shkruar në mënyra të ndryshme, kurse disa mungojnë).

[4] Ibni Hisham: I/137. Rahmetun li-l-Alemin: I/26. II/24.

[5] Ibni Hisham: I/107

[6] Ibni Hisham: I/137, 138.

[7] Muhtesar siretu-r-Resul nga Abdul-Vehhabi, f. 41, 42.

[8] Ibni Hisham: I/142-147.

[9] Ibni Hisham: I/43-56., Tefhimu-l-Kur’an: VI/462-469.

[10] Telkih Fuhumi ehli-l-Ether, f. 8 dhe 9. Rahmetun li-l-Alemin: II/56.66.

[11] Ibni Hisham: I/151-155; Rahmetun-l-Alemin: II/89, 90; Muhtesar Siretu Resulull-llah nga En-Nexhdi, f. 12, 22, 23.

[12] Ibni Hisham: I/156, 158; Fikhu-s-Sire nga Muhammed Gazaliu, f. 45; Rah­metun li-l-Alemin: II/91.

[13] Muhtesar Siretu-r-Resul nga Abdullah En-Nexhdi, f. 12, Telkih Fuhumi ehli-l-ether, f. 4 dhe Sahih Muslim: II/96.

Shkeputur nga libri “Nektari i vulosur i Xhenetit”

(Visited 59 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT