TA NJOHIM TË DËRGUARIN E FUNDIT II


I besueshmi

Në moshë të re, Muhamedi ishte i njohur sipas të gjithëve si: El-Emîn “i besueshmi” (ai, tek i cili mund të mbështetesh), në saje të ndershmërisë dhe të karakterit të tij fisnik. Xhaxhai i tij e donte shumë dhe e merrte me vete në Siri, kur shkonte për çështje pune. Kjo gjë i dha Muhamedit mundësinë që të mësonte se si të fitonte bukën e gojës. Ai i drejtonte punët e veta me sukses. Edhe pse ishte relativisht i varfër, ndershmëria dhe natyra e tij bujare bënin që ta donin të tjerët dhe të fitonte besimin e të gjithë atyre njerëzve që e njihnin.

Në këtë kohë, në Mekë jetonte një nga gratë më të nderuara. Ajo quhej Hatixhe. Muhamedi (a.s.) punoi për të e, kur mbushi moshën njëzet e pesë vjeç, ai mori nga ana e saj një kërkesë të tërthortë për martesë. Megjithëse ajo ishte më e madhe se ai, Muhamedi e pranoi ofertën e saj. Ata u martuan në vitin 595 dhe jetuan të lumtur. Me të pati dy djem dhe katër vajza: Kasimin, Abdullahin, Zejneben, Rukajën, Ummu Kulthûmin dhe Fatimen. Për fat të keq, dy djemtë vdiqën në moshë të vogël. Muhamedi me Hatixhen jetuan së bashku një jetë të lumtur familjare.

I denjë për t’i besuar

Shoqëria me Muhamedin, këshillat e urta dhe besueshmëria e tij, ishin shumë të parapëlqyera nga të gjithë. Tregohet se, në kohën kur ishte duke u riparuar Qabeja, katër fiset kryesore të klanit Kurejsh po grindeshin për të ditur se cili mes tyre do të kishte nderin të rivendoste Gurin e Zi e të shenjtë. Kur zënka ishte gati të shpërthente, një nga të moshuarit propozoi: “Personi i parë që do të hyjë, të jetë gjykatësi ynë!” Për gëzimin e tyre të madh, ata vunë re se i pari që u fut, ishte Muhamedi. “Është El-Emîn-i, i besueshmi” – thërritën ata. Muhamedi (a.s.) u vu në dijeni të situatës dhe kërkoi t’i sillnin një copë pëlhurë. Ai vendosi Gurin e Zi mbi copën e pëlhurës dhe kërkoi nga secili fis që të mbartnin një pjesë të pëlhurës, në mënyrë që të merrnin pjesë të gjithë në ngritjen e Gurit të Zi. Pastaj ai e vuri atë në vendin e vet. Kështu, me zgjuarsi mundi t’i japë fund kësaj grindjeje dhe shmangu, për më tepër, një rrezik për gjakderdhje.

Arabët kishin cilësi të rralla. Ata ishin guximtarë, shpirtgjerë dhe të ndershëm, mirëpo gjendeshin shpesh të ngatërruar në grindje të vogla, ziheshin pa pushim, të gatshëm për të derdhur gjakun në rastin më të parë. Kishin pak respekt për njeriun e dobët, jetimin dhe vejushën dhe jepeshin vazhdimisht pas pijes dhe kotësisë. Për shkak të statusit të rëndësishëm që u jepej djemve, baballarët kishin zakonin e mbrapshtë që t’i varrosnintë gjalla vajzat e vogla, lindjen e të cilave ata nuk e dëshironin. Politeizmi mbisundonte në botëkuptimin e tyre.

 

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam

(Visited 113 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT