TA NJOHIM TË DËRGUARIN E FUNDIT


Origjina e Profetit Muhamed (a.s.)

Qyteti i Mekës, prej nga e ka origjinën familja e Muhamedit (a.s.), ka qenë në vazhdimësi qendër e rëndësishme ekonomike dhe tregtare, njëkohësisht edhe qendër shpirtërore dhe fetare e Arabisë. Që nga periudhat parahistorike, arabët dyndeshin nga çdo anë dhe grupe-grupe shkonin për të vizituar Qaben, shtëpinë e Zotit.

Meka dallohej nga të gjitha qytetet e tjera arabe për shkak të pozitës së saj gjeografike. Në të gërshetoheshin rrugët tregtare mes Jemenit dhe Shamit, Bizantit dhe Persisë. Eksportimi i mallrave të këtyre vendeve bëhej nëpërmjet Mekës. Ajo ishte vendtakimi i të gjitha fiseve arabe që shkonin në haxhillëk për t’iu përgjigjur thirrjes së Ibrahimit (a.s.), i cili ishte lutur aty.

Zanafilla e qytetit të Mekës është e lidhur me vajtjen aty të Ibrahimit (a.s.) së bashku me gruan e tij, Haxheren dhe djalin e vogël, Ismailin. Ibrahimi (a.s.), bashkë me të birin, ndërtoi aty faltoren e parë islame (Qabenë) dhe Allahu (xh.sh.) e begatoi atë vend me ujin e Zemzemit. Aty Ibrahimi iu lut Allahut (xh.sh.) për arabët: “O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”  (El-Bekare, 129)

Allahu (xh.sh.) e pranoi lutjen e Ibrahimit (a.s.) dhe e bëripopullin e Muhamedit (a.s.) popullin më të mbarë, kurse Muhamedin (a.s.) e dërgoi si profetin e fundit.

Në Mekë jetoi Ismaili (a.s.) dhe pasardhësit e tij; deri tek Abdu Menafi, i cili zgjeroi marrëdhëniet diplomatike me vendet e tjera deri në Persi e Bizant. Në Mekë jetoi edhe djali i tij, Hashimi, që ishte i njohur për shpirtmadhësinë dhe që zgjeroi tregëtinë me vendet më të largëta të rajonit. Për të vazhduar me djalin e këtij, Abdulmutalibin, i cili vazhdoi traditën e të parëve dhe, pas shumë lodhjesh, e vuri përsëri në punë pusin e Zemzemit. Kjo ngjarje e gëzoi pa masë popullin e Mekës, që prej kohësh vuante nga thatësira.

Disa vjet pas rihapjes së pusit të Zemzemit, Allahu i fali Abdulmutalibit dhjetë djem, midis të cilëve edhe Abdullahun, i cili, nga martesa me Aminën, do të lindte Muhamedin (a.s.). Për këtë lindje, bëjnë fjalë të gjithë librat qiellorë të dërguara më parë. Për këtë bën fjalë Teurati[1] i Musait, në të cilin thuhet: “Kam dëgjuar për Ismailin, unë e përmbaj atë dhe e lajmëroj për

Madmadin (Muhamedin a.s.). Nga mesi i tyre do të dërgoj një pejgamber, si ti, të cilit do t’i mundësoj të flasë me gojën time.

Paralajmërime për ardhjen e Muhamedit (a.s.) bëhen edhe në Inxhil[2] (të Shën Gjonit) ku thuhet: “Nëse më doni mua, kini kujdes në porositë e mia, unë do ta lus babanë dhe ai do t’ju dërgojë një pejgamber tjetër, i cili do të qëndrojë me ju përgjithmonë.

Në suren Es-Saff, ajeti 6, Allahu xh.sh. në mënyrë të drejtpërdrejtë na tregon se Isai (a.s.) ka paralajmëruar për Muhamedin (a.s.) kur thotë: “Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: “O bijtë e Izraelit, unë jam i dërguari i Allahut tek ju, për t’ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar emri i të cilit është Ahmed[3] dhe që do të vijëpas meje”. Por, kur ai u solli atyre shenja të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapur!”

Lindja e tij

Muhamedi, i fundmi i profetëve, lindi në shkretëtirën e thatë të Arabisë, në vitin 570, afro gjashtëqind vjet pas Jezuit/Isait (a.s.). Ai lindi në fisin më të pastër dhe më të dalluar të atij populli, në familjen më fisnike e dinjitoze të atij fisi.

Jetimi i vetmuar

Muhamedi ishte jetim. Babai i tij vdiq para se ai të lindte. Pas vdekjes së babait, ai u rrit me vështirësi në shkretëtirë, sipas zakoneve arabe të asaj kohe. Kur mbushi gjashtë vjeç, i vdiq edhe nëna, Amina. Që prej atij çasti, ai u rrit nën kujdesin e gjyshit të vet, Abdul Muttalibit, kurse më vonë, nga xhaxhai i tij, Ebu Tâlibi.

Muhamedi ishte mësuar të ruante delet dhe dhitë nën diellin përvëlues, nëpër kodra, rreth e qark Mekës: Përkujdesja e tij në ruajtjen e bagëtive përmbante një porosi të lartë që dëshmonte për urtësinë dhe kujdesin e Allahut xh.sh. në përgatitjen e Profetit të ardhshëm, që do të predikonte besimin islam.

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam

 

_____________________

1 Teurati ose Tora (Dhjata e vjetër), është libri i Zotit që iu shpall Musait a.s. (Moisiut).

2 Inxhili ose Ungjilli (Dhjata e re), është libri i Zotit që iu shpall Isait a.s. (Jezusit).

3 Ahmed është një prej emrave të Profetit Muhamed (a.s.), që do të thotë “I lavdëruari”.

(Visited 122 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT