Ta njohim të dërguarin Muhamed III


Profecia

Kjo ndodhi në moshën 40-vjeçare gjatë një nate të muajit të Ramazanit. I Lartmadhëruari thirri Muhamedin në shërbimin e tij. Atë natë, e njohur me emrin Lejlet-ul Kadr, “Nata e Caktimit ose Nata Fuqisë”. Shpirti Besnik (engjëlli Xhibril) zbriti me vendimin e Zotit dhe me një dritë për njerëzimin: Kuranin 4.

Një kapitull i ri po fillonte për botën.

 

Shpella

Hëna e bardhë, jo e plotë, po shkëlqente lart në qiell, kur papritmas, Muhamedi ndjeu praninë e dikujt. Në qetësinë e natës u dëgjua një zë: “Lexo!” Muhamedi mbeti i habitur. “Unë nuk di të lexoj” – u përgjigj ai. Kur zëri përsëriti urdhrin, u duk sikur Toka zuri të dridhej: “Lexo!” “Unë nuk di të lexoj.” E ndjeu veten të paralizuar nga frika, të pafuqishëm për të lëvizur. “Lexo”, përsëriti zëri që linte mbresë të thellë. “Çfarë të lexoj?” Pastaj, krejt papritur, ai e ndjeu veten të çliruar; koha dhe hapësira sikur mbetën pezull; qielli dhe toka, të bëra njësh.

Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” (96/1-5)

Këto ishin pesë vargjet e para të Kuranit të lavdishëm. Zëri ishte ai i engjëllit Xhibril, Shpirtit Besnik dhe të Shenjtërisë, që iu dërgua Profetit të fundit nga Zoti. Misioni i Muhamedit (a.s,), të Dërguarit të Allahut si bekim për të gjithë njerëzit, sapo mori udhë.

Profeti Muhamed (a.s.) sapo kishte marrë fjalët e para nga Zoti i tij. Kjo ndodhi në vitin 610 në shpellën Hira. Ai zbriti me shpejtësi nga kodra, me fytyrën që i ndrinte nga djersa dhe me zemrën që i rrihte shumë fort. Vargjet e Kuranit jehonin akoma në shpirtin e tij. Ç’lloj vizioni kishte qenë ai? Çfarë fjalësh ishin shqiptuar? Ai vrapoi drejt Hatixhes, duke thirrur fort: “Mbulomëni, mbulomëni!” Ajo ia ngrohu zemrën me dashuri, ndërsa ai i tregonte atë që sapo i kishte ndodhur. “Kam frikë se një e keqe më pret!”, – i tha ai. “Asnjëherë, nga Zoti”, – iu përgjigj gruaja e tij me besim. “Zoti nuk ta do asnjëherë të keqen. Ti ke marrëdhënie të mira me familjen tënde, ti ndihmon të varfrit dhe nevojtarët, ti i pret të ftuarit e tu me bujari dhe ndihmon fatkeqët në rast nevoje”. (Përcjellë nga El-Buhâri)

Disa ditë më vonë, Hatixhja e çoi te kushëriri i saj, një shkrues i ditur, që e quanin Uaraka ibn Naufel dhe që e njihte mire Torahun/Teuratin dhe Ungjillin/Inxhilin. Pasi Muhamedi përshkroi natën e famshme, burri i moshuar, pa hezitim, tha se do të kishte qenë me të vërtetë një takim me engjëllin Xhibril,

pikërisht me atë që Zoti ia kishte dërguar Moisiut/Musait (a.s:). Do të kisha shumë dëshirë të isha i ri, për të jetuar deri në kohën kur populli yt do të të përzërë” – i tha burri i moshuar. (Përcjellë nga El-Buhâri). Ai e dinte që Profeti i përmendur në Shkrimet e shenjta, kishte mbërritur.

Në këtë mënyrë, filloi misioni i të fundmit të profetëve, i cili tani e tutje do të ndikonte në mbarë botën, duke shpallur një epokë të re në historinë e ndërgjegjes dhe të progresit njerëzor. Kështu lindi Islami.

 

                       Shkëputur nga Libri: Ky është profeti Muhamed

(Visited 149 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT