Të dua o Muhamed, ndonëse s’të kam parë kurrë


Di gjithçka për ty. Kam bërë kërkime, kam studiuar libra për të ditur më shumë për ty.

E kam kërkuar emrin tënd në Google pafund dhe kam parë në librari të mëdha e të vogla për të gjetur libra që flasin për ty…

I kam bërë të gjitha këto sepse më thanë se më ke dashur. Kjo gjë më shkaktoi huti, ngaqë s’jemi takuar asnjëherë. E si mund ta duash dikë që s’e ke takuar kurrë?!

Më kanë thënë se munde bizantinët për mua, e se dërgove njeriun tënd më të aftë në Persi. U gjakose, luftove, ece këmbëzbathur… Të fyen e të quajtën të çmendur. Por ti, ti i durove të gjitha këto për mua. E si mos të të dua unë ty, edhe pse s’të kam takuar asnjëherë?!

U thashë se ëndërroj çdo natë e se lutem çdo ditë, që një ditë, qoftë edhe për një fraksion të sekondës, sytë e mi të mund të shohin sytë e tu, duart e mia të mund të shtrëngojnë të tuat, e ti të më lejosh që të shuaj etjen në burimin tënd.

Kam lexuar për bukurinë tënde rrëzëllitëse. Kam dëgjuar se të patën ofruar pasuri, status dhe gra, por ti i refuzove të gjitha këto për mua.

Kam dëgjuar se ata sollën fëmijët që të të gjuanin me gurë, por ti durove dhe u krodhe në lutje. Kam dëgjuar se ata të bojkotuan për 3 vjet, të morën shtëpinë dhe të dëbuan nga vendlindja, nga ai vend që ishte më i dashuri i zemrës tënde. Dhe nuk u mjaftuan me aq. Pasi u largove në errësirën e natës, ata dërguan më të aftin e tyre, që të të gjurmonte e të të kthente sërish mbrapsht. Por Zoti të mbrojti. Kur arrite në destinacionin tënd i sigurtë, ti qëndrove gjatë gjithë natës duke u lutur për mua, në ngashërim, derisa lotët të rrodhën nga mjekra. Gjithçka që përjetove të bëri më të fortë dhe më të vendosur që të vije drejt meje…

Vite më vonë, ata dërguan një ushtri me 1000 burra për të të luftuar, dhe ti… ti qëndrove para tyre vetëm me 300 burra, e sërish fitove. Më pas, ata formuan një ushtri edhe më të madhe dhe u kthyen prapë, kësaj radhe për të të dhënë fund. Por prapë nuk ia dolën dot.

Urrejtja e tyre për ty sa vinte e shtohej, por dashuria jote për mua shtohej edhe më shumë. Pasi e panë se s’po kishin sukses, ata nisën të bëjnë aleanca kundër teje. Të tradhtuan dhe të mohuan të drejtën për t’u kthyer në vendlindje. Të dëmtuan edhe me marrëveshjet e tyre. Por për shkak të dashurisë së madhe që ti kishe për paqen e virtytin, për shkak të dashurisë që kishe për mua, ti i pranove kushtet e tyre.

Njerëzit thonë se dashuria e Romeos dhe e Zhuljetës është më e madhja në historinë njerëzore, por unë u them: Si mund të jetë ajo dashuria më e madhe, kur njeriu që unë dua bëri gjithçka për mua?! Kur njeriu që unë dua, e sakrifikoi jetën e tij për mua?! Kur njeriu që unë dua dha gjithçka që kishte për mua?! Kur njeriu që unë dua, i dha kuptim jetës time?!

Unë e di që ai është Profeti im dhe jam krenare ta them këtë. Për mua, ai është udhëheqësi, luftëtari, babai dhe edukatori i përsosur. I përsosur është edhe mesazhi i paqes, i dashurisë dhe i drejtësisë që ai përçoi tek çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë e tek çdo krijesë tjetër në këtë botë.

Kur Zoti e bekoi atë me lutjen që s’do t’i kthehej kurrsesi mbrapsht, në vend që ta përdorte për veten e tij, ai e ruajti atë për mua, e ruajti për ty, e ruajti për të gjithë ne.
Tashmë e di se pse e dua atë më shumë sesa veten time…

 

Klodi Smajlaj

(Visited 177 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT