Tradita e Pejgamberit (s.a.u.s.) kur hynte në shtëpinë e tij


Profeti (s.a.u.s.) nuk hynte në familjen e vet befas, duke gjurmuar ndonjë tradhti, por mbasi i kishte bërë me dije familjarët se do të hynte. Kur hynte, ai u jepte selam dhe i pyeste se si e kishin gjendjen. Nganjëherë u thoshte: “A keni ushqim për mëngjes?”,[1] e nganjëherë heshte gjersa t’i sillnin përpara ç’të ishte e mundur.

Përmendet se, kur kthehej në shtëpinë e vet, Profeti (s.a.u.s.) thoshte:

“الْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِى كَفَانِي، وَآوَانِي، وَالحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِى أَطْعَمَنِي وَسَقَانِي، وَالحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِى مَنَّ عَلَىَّ فَأَفْضَلَ، أسْأَلُكَ أنْ تُجِيرَنِي مِنَ النَّار”

Elhamdu lilahi ledhi kefani, ue auani, uel hamdu lilahi ledhi et’ameni ue sekani, uel hamdu lilahi ledhi menne aleje fe efdale, es’eluke en tuxhirani minen-nar.

“Mirënjohja e lavdia i takojnë Allahut, i Cili më bëri të mos kem nevojë për krijesat dhe më siguroi strehim! Mirënjohja dhe lavdia i takojnë Allahut, i Cili na dha të hamë dhe të pimë! Mirënjohja dhe lavdia i takojnë Allahut, i Cili më ka bërë mirësi dhe m’i ka shtuar ato! O Zot! Të lutem të më mbrosh nga Zjarri!”[2]

Është vërtetuar se Profeti (s.a.u.s.) i tha Enesit: “Kur të hysh te familja jote, jep selam, në mënyrë që selami të jetë bereqet (mirësi) për ty dhe për familjen tënde!”. Tirmidhiu thotë se hadithi është i mirë e i vërtetë.

Sunen-in e Ebu Daudit shënohet se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Kur të hyjë burri në shtëpi, le të thotë:

اللهُمَّ إنِّي أَسْأَلُكَ خَيْرَ المَوْلَجِ، وَخَيْرَ المَخْرَجِ، بِسْمِ اللهِ وَلَجْنَا، وعَلَى الله رَبِّنَا تَوَكَّلْنَا، ثُمَّ لِيُسَلِّمْ عَلَى أَهْلِهِ”

 Allahume ini  es’eluke hajral meulexhi ue hajral mehraxhi, bismilahi  uelexhna, ue alallahi rabena teuekelna.

“O Allah! Unë të kërkoj të mirën që vjen nga hyrja dhe të mirën që rrjedh nga dalja! Me emrin e Allahut hymë në shtëpi dhe Allahut, Zotit tonë, iu mbështetëm!”. Pastaj le t’i japë selam familjes së vet”.[3]

Po aty shënohet se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Për tri kategori njerëzish, Allahu garanton t’u japë atë që kërkojnë: (1) për një burrë që del luftëtar në rrugë të Allahut, Allahu garanton që, nëse ia merr shpirtin, ta fusë në Xhenet, e nëse nuk ia merr shpirtin, ta kthejë me shërblimin dhe plaçkën që ka marrë; (2) për një burrë që ecën për në xhami, Allahu garanton që, nëse ia merr shpirtin, ta shpjerë në Xhenet, ose përndryshe ta kthejë me shpërblimin që merr; (3) për një burrë që hyn në shtëpinë e vet duke dhënë selam[4], Allahu garanton t’i japë bereqet dhe shpërblim të madh”. Hadithi është i vërtetë.

Është vërtetuar se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Kur burri hyn në shtëpinë e vet dhe përmend Allahun teksa hyn dhe kur fillon ushqimin, shejtani u thotë vëllezërve, ndihmësave dhe shokëve të tij po prej shejtanëve: ‘Këtë natë nuk keni as vend për të ndenjur dhe as darkë!’ Ndërsa, kur hyn dhe nuk e përmend Allahun, shejtani thotë: ‘Këtë natë e gjetët vendin për të ndenjur!’ Po ashtu nëse nuk e përmend emrin e Allahut kur fillon ushqimin, ai thotë: ‘Për këtë natë e gjetët edhe vendin për të ndenjur, edhe darkën!’.” Hadithin e shënon Muslimi.

 

_______________________

[1] Muslimi.

[2] Ibn Sunni në Amelul Jeumi ue Lejle. Në sened gjendet një burrë i panjohur.

[3] Hadithi është i dobët, sepse ka ndërprerje në sened.

[4] Ose kuptimi është: pa u përzier me fitne, ose duke kërkuar t’u shpëtojë fitne-ve.

(Visited 92 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT