Vlera e muajit Ramazan


Muaji i Ramazanit është muaji i të mirave e bereqeteve të shumta, dhe Allahu i ka dhuruar atij vlera e dobi të shumta, siç do të përmendim në vijim:

1.Ramazani është muaji i Kuranit

Allahu i Lartësuar e ka zbritur Librin e Tij udhëzim për njerëzimin dhe shërim për besimtarët, udhëzues në atë që është më primare dhe argumentuese, qartësues të Rrugës së Drejtë. Allahu e zbriti atë në natën e Kadrit, në muajin e mirësive, në Ramazan. Allahu, Zoti i Arshit të Lartë thotë: “Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kurani: udhëzim për njerëzimin, provë e qartë për udhëheqje dhe kriteri (dallues i të vërtetës nga e kota). Kështu që, kushdo prej jush që dallon (hënën e re të natës së parë) të muajit (Ramazan), t’a agjërojë këtë muaj…” [El Bekare: 185] Dije, vëlla i nderuar, se cilësimi i muajit të Ramazanit me faktin se në të ka zbritur Kurani, dhe më pas, ndjekja e tij me lidhëzën “kështu që”, e cila përdoret për të treguar rezultatin dhe shkakun e përmendjes së fjalëve para saj dhe lidhjen ndërmjet tyre, tregon dhe hedh dritë tërthorazi në shkakun e agjërimit të këtij muaji; d.m.th. shkaku i zgjedhjes pikërisht këtë muaj për të agjëruar, është se në të ka zbritur Kurani.

2.Në Ramazan lidhen shejtanët, mbyllen dyert e Zjarrit dhe hapen dyert e Parajsës

Në këtë muaj të bereqetshëm pakësohet e keqja në tokë, për shkak se lidhen dhe prangosen shejtanët prej xhinëve me zinxhirë e pranga, dhe nuk kanë mundësi të bëjnë të këqija tek njerëzit ashtu siç bëjnë në muajt e tjerë. Kjo sepse muslimanët janë të preokupuar me agjërim, i cili është pengesë për epshet, si dhe me leximin e Kuranit dhe të gjitha adhurimet e tjera të cilat pastrojnë dhe edukojnë shpirtrat. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, me qëllim që të mund të bëheni të devotshëm.” [El Bekare: 183]

Për këtë shkak, mbyllen dyert e Zjarrit dhe hapen dyert e Parajsës, sepse veprat e mira shtohen dhe fjalët e bukura sundojnë gjithandej. Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kur vjen muaji i Ramazanit, hapen dyert e parajsës-xhennetit16, mbyllen dyert e zjarrit-xhehennemit, dhe prangosen shejtanët.”[17]

E gjitha kjo ndodh që nga nata e parë e muajit të begatshëm; i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kur hyn nata e parë e muajit Ramazan, lidhen shejtanët dhe xhinët rebelë, mbyllen dyert e Zjarrit dhe nuk qëndron hapur asnjë prej tyre, dhe hapen dyert e Xhennetit e nuk qëndron mbyllur asnjë prej tyre. Një thirrës thërret: “O kërkues i të mirës, afrohu (kryerjes së të mirave)! O kërkues i së keqes, ndalu (nga kryerja të këqijave)! Allahu (në këtë muaj) liron nga Zjarri prej robërve të Tij, dhe kjo për çdo natë.”[18]

______________

17. Transmeton Buhariu (4/97) dhe Muslimi (1079).

18. Transmeton Tirmidhiu (682), Ibën Maxhe (1642), Ibën Huzejme (3/188); nga transmetimi i Ebu Bekër ibën Ajjash; nga el Amesh; nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Ky zinxhir transmetuesish është i mirë-hasen.

 

(vazhdon)

(Visited 20 times, 1 visits today)

You may also like

LEAVE A COMMENT